Një 36-vjeçar i konsideruar si “shtetas me rrezikshmëri të lartë për komunitetin”, është arrestuar nga policia e Durrësit pasi u kap teksa lëvizte i armatosur në qytet. I riu me disa precedentë penal u kap teksa lëvizte me këmbë, ndërsa njëkohësisht ishte duke shkelur masën e sigurisë së “arrestit në shtëpi”.
Njoftimi i policisë
Lëvizte i armatosur me pistoletë me fishek në fole, të gatshme për qitje, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 36-vjeçari, shtetas me rrezikshmëri të lartë për komunitetin. 36-vjeçari, me disa precedentë penal, u kap teksa lëvizte me këmbë, në shkelje të një mase sigurie “Arrest në shtëpi”.
Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë me qytetarët, si dhe nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Background”, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të Policisë, për kapjen e shtetasve me rrezikshmëri për komunitetin, që lëvizin të armatosur.
Në kuadër të këtij operacioni, u vu në pranga shtetasi D. M., 36 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas u kap në flagrancë teksa lëvizte me këmbë, në lagjen nr.15, dhe gjatë kontrollit fizik të tij, Policia i gjeti 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole, të gatshme për qitje.
Nga verifikimet ka rezultuar se 36-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për një aksident rrugor, me pasojë vdekjen. Gjithashtu, ky shtetas kishte precedent të theksuar penal për krime në fushën e narkotikëve. Në vijim, pistoleta dhe krehri i saj me fishekë luftarak, u sekuestraun në cilësinë e provës materiale.
