Katër anëtarë nga e njëjta familje në Tetovë, të cilët janë infektuar nga Covid-19 kanë ndërruar jetë.
Edhe pse të tre kanë qenë në gjendje shumë të rëndë, nuk kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe kanë vdekur në kushte shtëpiake ndërsa i katërti ka ndërruar jetë në spital.
“Kemi informata se javën e kaluar në kushte shtëpiake nga e njëjta familje kanë vdekur tre persona, babai, nëna dhe vajza. Që të tre kanë qenë me komorbiditete të rënda, vajza e cila ka pasur 36 vite ka qenë me probleme të rënda gjinekologjike, ndërsa edhe prindërit e saj po ashtu kanë qenë me formë të rëndë të sëmundjes, babai ka pasur kancer, ndërsa nëna ka qenë me kardiomiopati. Por, edhe përkundër asaj, e dimë sigurt se nuk kanë ardhur në kontroll në spital. Do të thotë, faktori gjenetik dhe komorbiditetet janë arsyeja kryesore për këtë. Në familje nuk ka pasur persona të tjerë të sëmurë”, deklaroi mjekja Miranda Pajaziti nga qendra Covid në Tetovë.
Pajaziti tha se, ata u infektuan në një dasmë dhe jetonin në dy shtëpi pranë njëra-tjetrës dhe ishin në kontakt të vazhdueshëm. Ka shumë raste kur ka të sëmurë të cilët janë nga e njëjta familje dhe ato janë zakonisht më lehtë, të cilët mjekohen në kushte shtëpiake.
