Katër shqiptarët që u kapën me 1.7 ton kokainë në shkurt të vitit që lamë pas, kanë dalë përpara gjykatës në Gjermani.
Emiljan H. 38 vjeç, Klajdi D. 25 vjeç, Dashamir N. 34 vjeç dhe Dario Lame 22 vjeç dolën në gjyq ditën e sotme. Sëbashku me ta ishte edhe shtetasi gjerman Alberto Kochsiek.
Të pestë këta persona u bënë të famshëm për sasinë më të madhe të kokainës së kapur në banane. Për këtë arsye morën edhe emrin e çuditshëm “banda e bananeve”.
Si funksiononte banda?
Kokaina e kapur nga autoritetet vinte nga Ekuadori dhe kishte si destinacion të parë Gjermaninë. Nga i gjithë grupi, bëhet me dije se vetëm njëri prej tyre ka pranuar akuzat ndërsa të tjerët vijojnë të mohojnë përfshirjen.
Sikundër rezulton nga hetimet e prokurorisë dhe policisë Gjermane, droga fshihej në kuti bananesh dhe transportohej nga Ekuadori. Sapo mbërrinte e magazinuar në Gjermani, trafikantët hynin për të marrë vetëm sasinë e kokainës.
Mediat gjermane thonë se koka e grupit ishte Dario Lame që jetonte në Hamburg. Ndërsa grupi ka pasur si udhëheqës shtetasin gjerman Alberto Kochsiek. Ndërsa Klajdi D. Kishte po ashtu një rol kyç pasi merrej me organizimin e grupit për të marrë kokainën nga depot e bananeve në Bavari.
Dyshimet e mëdha janë tek fakti që grupi i strukturuar kriminal kishte lidhje edhe me kompani të logjistikës.
Hetimi ka zgjatur muaj të tërë teksa grupi është përgjuar në shumë raste gjatë bisedave në lokalet e Hamburgut.




