Të paktën 460 punonjës të Bashkisë Mat nuk marrin rrogat prej tre muajsh. Burime të sigurta informacioni bënë me dije se shkak për mungesën e pagave është bërë shtimi i numrit të punonjësve herë pas here nga drejtuesit lokal si dhe paaftësia e sektorit të taksave për të siguruar të ardhura nga biznesi. Megjithëse gjendja social-ekonomike e punonjësve të ndërmarrjes së shërbimeve bashkiake, të rrugëve dhe sektorëve të tjerë është e rënduar ato nuk kanë reaguar, kanë pranuar në heshtje gjendjen e krijuar, duke menduar se në rast reagimi mund të largohen nga puna. Burimet shtuan se zyrtarët vendorë të Matit nuk kanë përllogaritur si duhet fondin e pagave për vitin 2018, madje kanë shtuar fiktivisht numrin e punonjësve, duke patur në plan të parë punësimin e militantëve të fushatave elektorale, duke ngritur një rrjet të mirëfilltë nepotik si dhe duke favorizuar përkrahësit e tyre përsa i përket likujdimit të tarifave dhe taksave lokale. Sakaq thuhet se një numër personash paguhen pa kryer asnjë punë në bashki, ose janë jashtë vendit.
Add A Comment