Konflikti për pronën pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” në Tiranë ka vijuar edhe dje, ndonëse jo me të njëjtin kaos si ditën e hënë.
Dy ditë pasi përfaqësuesit e Përmbarimit nuk arritën të ekzekutojnë vendimin e Gjykatës për lirimin e truallit, duke qenë se u përballën me rezistencën e anëtarëve të 4 familjeve, dje palët u janë drejtuar institucioneve të drejtësisë. Mësohet se pronari i truallit, Aleksandër Gavoçi, i është drejtuar me një padi Prokurorisë së Tiranës, ku kallëzon për shpifje familjen Llapaj dhe Dervishaj, me arsyetimin se i kanë zaptuar truallin.
Nga ana tjetër, këto 2 familje i janë drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Lartë për të përshpejtuar shqyrtimin e rekursit që i kanë bërë vendimit të Gjykatës së Apelit, që njeh si pronar të truallit Aleksandër Gavoçi. Luan Llapaj, përfaqësuesi i një prej familjeve, ka shpjeguar kalvarin e procesit gjyqësor të pronës së sekuestruar në vitin 1939 dhe kontratës për ndërtimin e pallatit në vitin 2015, që i ka futur sërish në konflikt gjyqësor. Ai ka shpjeguar se kjo pronë sot u është marrë atyre me dokumente dhe ata qëndrojnë vetëm, pasi katin e dytë dhe të tretë e kanë në proces legalizimi.
Sipas tij, në këtë situatë ku ka përfunduar përplasja e tyre me firmën duhet të ndërhyjë shteti. “Pjesën që kemi blerë nga shteti shqiptar në vitin 1993 e ka tjetërsuar, e ka shitur dhe blerë po prapë ai. Ne qëndrojmë se kemi shtuar dy kate mbi shtëpinë dhe një kat komshiu, kemi bërë edhe ndërtime anësore. Ne mbahemi aty vetëm prej legalizimit”, u shpreh Llapaj.
HISTORIA E PRONES
Trualli, për të cilin ka lindur konflikti, është blerë në vitin 1928 nga Ali Rizai, gjyshi nga nëna i Aleksandër Gavoçit dhe është sekuestruar 2 herë nga shteti. Herën e parë, prona u sekuestrua me dekret të Italisë, pra, pas prillit të vitit 1939, apo Mbretërisë Shqiptare para prillit të po atij viti, dhe iu kthye sërish pronarit pas çlirimit të Shqipërisë. Sekuestrimi i dytë ndodhi në vitin 1949 dhe familja Rizaj u internua në Shkodër.
Në vitin 1953, në këtë truall u vendosën familjet Llapaj dhe Dervishaj. Këto familje, në vitin 1993, privatizuan banesën ku ishin strehuar nga shteti dhe u pajisën me certifikatë pronësie për katin e parë të banimit. Në vitin 1997, nisi kalvari i gjyqeve mes 2 familjeve dhe trashëgimtarit të pronarit të truallit, Aleksandër Gavoçi, ku me vendim të formës së prerë Gjykata e ka njohur këtë të fundit si pronar.
Gavoçi ka tentuar të negociojë me familjet Llapaj dhe Dervishaj ende pa u marrë vendimi i formës së prerë. Në vitin 2015, ata kanë lidhur një marrëveshje, ku Gavoçi premtonte se do ta shfrytëzonte truallin për të ndërtuar një pallat dhe do t’u jepte familjeve 230 metër katrorë hapësira banimi.
Por dy familjet e prishën këtë marrëveshje, duke kërkuar përveç ambienteve të banimit, edhe dyqane. Për pasojë, gjyqet vijuan duke vendosur në fund në favor të Aleksandër Gavoçit.
FAMILJET
“Kjo histori ka filluar në vitin 1997. Kthimi i pronave i ka falur pronën e shtetit një qytetari. Toka ka qenë e sekuestruar në vitin 1939 nga qeveria e paravitit 1944. Komisioni i Pronave nuk duhet ta kthente këtë pronë, por ia kthyen. Falsifikimet janë bërë të mëdha, ua ka kthyer dy qytetarëve. Trashëgimtarët tani na sjellin përmbarimin çdo ditë. Ne kërkojmë atë kontratën që është firmosur atëherë.
Ai thotë herë pas here se ajo kontratë ka rënë. Pasi firmosëm kontratën me ndërtuesin në vitin 2015, ramë dakord, sikur e kërkoi ai. Shkon në Hipotekë me këtë kontratë dhe për 22 vite nuk e merrte certifikatën, pasi e mori këtë nga Kompensimi i Pronave. Pasi bëmë kontratën, shkon në Hipotekë me të korruptuarit dhe thotë tani nuk ka më probleme për këtë tokën”, u shpreh dje Luan Llapaj.
