Në 50-vjetorin e Akademisë së Shkencave kreu i PD-së, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se vazhdon të falsifikojë historinë. Për të Rana i thur lavde Akademisë ku u elaboruan falsifikimet më monstruoze të historisë kombëtare. Duke theksuar se Akademia ka luajtur një rol negativ për hiperkolektivizmin dhe deformimin e historisë, Berisha tha se tani është koha që të denoncohen.
“Sot, nomenklatura e shtetit monist, po kremton 50-vjetorin e Akademisë së Shkencave. Sot, në këtë 50-vjetor, pasardhësi i nomenklaturës së vjetër, mbajti një fjalim, në të cilin vazhdoi falsifikimin e turpshëm të historisë. E vërteta më e hidhur është se akademia ishte një institucion i diktaturës, i falsifikimit të historisë, që mbante për filozofi kryesore, filozofinë marksist-komuniste. Nga kjo akademi, që sot Rama i thur lavde, asaj dhe etërve të tij, u elaborua falsifikimet më monstruoze të historisë sonë kombëtare. Nga kjo akademi, u himnizuan antivlerat. Në veprat e saj spikati mashtrimi, në shumë prej tyre, spikati glorifikimi i të keqes dhe diktatorit. Akademia është bashkëfajtore për tiraninë hiperkolektiviste që vendosi diktatori në Shqipëri. Tirani, e cila erdhi si rezultat i hiperkolektivizmit total”.
Për të, viktimë e Akademisë së Shkencave nuk u bë vetëm historia, por edhe gjuha shqipe. Akuza Berisha drejtoi edhe ndaj kreut aktual të Akademisë së Shkencave, ku thotë se i shiti partinë Edi Ramës për Tom Doshin në shkëmbim të kryetarit të Akademisë.
“Sot Akademia kremton 50-vjetorin me një regres të madh. Nëse më parëkishte në krye një historian të nderuar si Aleks Buda, sot ka një matrapaz, një ish-ministër të diktaturës, që uzurpoi postin e kreut të akademisë duke ia shitur partinë e tij Tom Doshit. Skënder Gjinushi, ish-kryetar i Partisë Socialdemokrate, i shiti partinë Edi Ramës për Tom Doshin në shkëmbim të kryetarit të Akademisë. Histori më të turpshme nuk ka në botë. Ai që mori atë post në dhunim flagrant të Kushtetutës, e cila përcakton se kryetari i Akademisë emërohet nga Presidenti i Republikës. Por për pazarxhinjtë Rama-Gjjinushi, Kushtetuta nuk vlen një lekë. Rëndësi ka që të blinte Akademinë me partinë. Nuk ka ditë më të zezë se kjo e sotmja, kur ai institucion feston 50-vjetorin me një qenie të turpshme si kryetarin e saj”.
