60 vjet më parë Nikita Hrushovi, ish udhëheqësi i
Bashkimit Sovjetik pati një vizitë në Tiranë. Ajo do të mbillte vetëm akuj. Udhëheqësi
sovjetik duke qenë dhe agronom me profesion e këshilloi Enver Hoxhën dhe udhëheqjen
e kohës për të zhvilluar industrinë e lehtë dhe ushqimore në vend të asaj të
rëndë si dhe e ripërsëriti disa herë propozimin e tij për të mbjellë agrume në
vend të drithrave. “Sa grurë do Shqipëria në një vit, aq hanë minjtë në
hambaret sovjetike”, tha Hrushovi në vendin e shqiponjave.
Mirëpo, sipas një analisti, Shqipëria e Hoxhës nuk bëri as njërën dhe as
tjetrën, por rendi si pulë pa kokë drejt kokrrës së misrit.
E izoluar për dreq nga njerëzia dhe e drejtuar nga marrëzia, veç të tjerave, dreqosi edhe çdo marëdhënie të njeriut me natyrën; në vend të limonave dhe portokalleve, kërkoi të prodhojë vetëm bukë dhe atë traktorin e kuq me zinxhirë, model i viteve 30-të, që nuk i hynte në punë as dreqit që ecën nëpër gurë. Koston e izolimit tragjik e paguajmë ende sot kur jemi të lirë të lëvizim përtej kufirit, por rrimë brenda të njëjtës mendësi komuniste të zhvillimit të vendit. Pa pasur pothuaj asnjë ndryshim nga mentaliteti që paguan me miell për çdo lloj krundeje.
Vizita e asaj kohe para 60 viteve ka dhe nje detaj të shënuar, dhuratat për
Hrushovin. Pikërisht në këtë vizitë Enver Hoxha, nuk kurseu t’i dhuronte
Hrushovit gjërat e suveniret nga më të çmuarat, ndër to dhe shpatën e argjendtë
të Bib Dodës. Është shpata që Princi Katolik i Veriut Bib Doda e kishte marrë
si dhuratë nga Perandori i Francës Napoloni i III….
