Ambasada holandeze në Tiranë ka konfirmuar se ka marrë përgjigjen e Komisionit Europian lidhur me letër-kërkesën e dërguar më 31 maj për rikthimin e vizave për shqiptarët.
Megjithatë ambasada holandeze thotë se sinjali që vjen nga letër-kërkesa vijon të jetë i rëndësishëm.
Lexo edhe- EKSKLUZIVE/ Komisioni Europian nuk pranon kërkesën e Holandës për regjimin e vizave për Shqipërinë
DEKLARATA E AMBASADËS HOLANDEZE
Në datën 1 korrik, Ministri i Punëve të Jashtme të Hollandës ka marrë një përgjigje nga Komisioni Europian në lidhje me letër-kërkesën e dërguar në datën 31 Maj 2019. Në këtë letër, Komisioni ka dalë në përfundimin se kushtet teknike për të aktivizuar mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen. Por gjithsesi, në letër theksohet se Komisioni beson se Shqipëria duhet të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të adresuar çështjen e aplikimeve të pabazuara për azil dhe për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar.
Sinjali që vjen nga letër-kërkesa vijon të jetë i rëndësishëm. Hollanda do të punojë me Shqiperinë për të parë se si shqetësimet tona në lidhje me krimin e organizuar, aplikimet e pabazuara për azil dhe klandestinët që përpiqen të kalojnë në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet porteve të Hollandës mund të adresohen në mënyrë më efikase.
Ne e vlerësojmë bashkëpunimin tonë të mirë me palën Shqiptare dhe e shohim si thelbësore adresimin e këtyre çështjeve.
