Policia e Shtetit bën të ditur se është deportuar nga SHBA një prej pjestarëve të grupit që sulmoi policinë në Lazarat në 2015, gjatë operacionit të gjerë antidrogë, ku mbeti i vrarë efektivi Ibrahim Basha.
Ruhan Hiraj, 22 vjeç u kap një vit më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pas një operacioni të gjatë tashmë do të përballet me organet shqiptare të drejtësisë.
Hiraj ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë në vitin 2018, e ka dënuar këtë shtetas me 15 vjet burg për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit publik me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi i armëve luftarake“, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pjesëmarrja në bandën e armatosur”.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Në datë 24.06.2015, në fshatin Lazarat të rrethit Gjirokastër, shtetasi Ruhan Hiraj në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të policisë të repartit “Renea”, të cilët kanë qenë brenda në automjetin e policisë në vendin e quajtur “Pularia”.
Si pasojë e këtyre të shtënave, ka mbetur i vrarë brenda në automjetin e policisë, punonjësi i Policisë Ibrahim Basha, si dhe janë plagosur punonjësit e policisë, J. I. dhe P. H.
“Policia e Shtetit Shqiptar ka një falënderim të veçantë për Zyrën e Hetimeve Kriminale pranë Shërbimit Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë (DSS), Agjencinë për Emigracionin Doganat dhe Operacionet Speciale (ICE-ERO), Agjencinë për Patrullimin Kufitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (USBP), Byronë Qendrore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, (USNCN), Interpol Roma dhe Zyrën Uci Albania në Shqipëri e Oficerin e Kontaktit të Policisë së Shtetit në Bari, për koordinimin me Policinë e Kufirit të Roma Fiumicino, për përpjekjet dhe veprimet e tyre për të realizuar gjithë këtë proces të përshpejtuar kthimi në Shqipëri, për t’u përballur me organet e drejtësisë shqiptare”.
