Policia e Shkodrës ka mundur të ndalojë pas dhjetë muajsh Nik Lulashin, autorin e vrasjes së Tahir Bajraktarit në shtator të 2018-tës.
Sipas policisë Lulashi është gjetur në fshatin breg i Lumit në Dukagjin. “Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër në bazë informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe pas një pune të mirëorganizuar, kapet dhe ndalohet në fshatin Bregu Lumit, në Dukagjin, shtetasi i shpallur në kërkim: N. L., 55 vjeç, banues në Tropojë. Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi është autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit T. B., ngjarje e ndodhur më datë 18.09.2018, në bjeshken e Doberdollit, Tropojë. Gjykata e Rrethit Tropojë me vendim nr. 35 datë 25.09.2018 ka caktuar masën sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” .
SI KA NDODHUR NGJARJA
Tahir Bajraktari, 69 vjeç u vra në 18 shtator të 2018 në bjeshkët e Doberdolit të Tropojës. Viktima kishte udhëtuar nga Tirana drejt Tropojës për të kaluar pushimet. Ai u qëllua për vdekje brenda në banesën e tij. Fillimisht ngjarja u raportua si vetëvrasje, por grupi hetimor brenda disa orësh konstatoi se ishte një ngjarje kriminale. Autori i krimit ishte i punësuar nga Bajraktari në shtëpinë e tij në Doberdol. Mes Nik Lulashit dhe Tahir Bajraktarit ka pasur një konflikt për pagesën që do merrte 54-vjeçari i punësuar. Nik Lulashi ka kërkuar më shumë para sesa i ka ofruar viktima për punën e kryer në objekt dhe kjo ka ndezur debatin mes të dyve.
Banorë të zonës thonë se Tahir Bajraktari shkonte çdo vit në shtëpinë verore në bjeshkët e Tropojës ku kalonte pushimet, ndërsa njihej si njeri i qetë dhe pa probleme. Ai kishte rindërtuar shtëpinë në bjeshkë si dhe kishte arritur ta elektrifikonte vetë përmes investimit në një mini-HEC, me të cilin furnizonte me energji edhe fqinjët si dhe kishte shtrirë edhe linjën e internetit deri në Bjeshkë.
