Tashmë ka marrë fund edhe zyrtarisht, Matijs De Ligt është futbollisti më i ri i Juventusit. Të shumtë ishin klubet pretendente për të fituar shërbimet e yllit të mbrojtjes, megjithatë në fund bardhezinjtë e mbyllën me sukses operacionin dhe kanë firmosur me 19-vjeçarin. Ndërkohë, klubi torinez ka zbuluar edhe disa nga detajet e kontratës me holandezin.
De Ligt ka firmosur një kontratë pesëvjeçare, ndërsa ajo që bie në sy është marrëveshja me klubin e Ajaksit. ‘Harkëtarët’ ishin treguar këmbëngulës për shifrën e 75 milionë eurove, të cilat Juventusi i ka përmbushur.
Megjithatë, ‘Zonja e Vjetër’ ka arritur të gjejë gjuhën e përbashkët me drejtuesit e Ajaksit për ta paguar këtë shumë në pesë vitet e ardhshme nëpërmjet kësteve dhe jo menjëherë, ndërkohë që klubi holandez mund të përfitojë deri në 10.5 milionë bonuse. Në këtë formë, Juventusi i ka shpëtuar rëndesës së bilancit financiar, ndërsa nëse do t’i paraqitet mundësia mund të ketë luksin për të kryer edhe një tjetër goditje në merkato