Policia e Vlorës ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e djeshme ku u dhunuan dy policë. Sipas njoftimit zyrtar, ata kishin shkuar të shoqëronin një person të dyshuar për një vepër penale, por kanë hasur në dhunën fizike të tij.
A.C., 36 vjeç ishte me miqtë e tij në një lokal afër portit të Vlorës, kur policia ka shkuar për të bërë shoqërimin e tij. Në këtë moment shokët e 36-vjeçarit kanë ndërhyrë për të penguar ndalimin, duke dhunuar fizikisht efektivët, të cilët janë në spital jashtë rrezikut për jetën.
Policia bën të ditur se u arrestuar katër persona.
Lexo edhe- Ndërhynë për të shuar sherrin mes 4 personave, dhunohen 2 policë në Vlorë
NJOFTIMI
Kundërshtojnë me dhunë punonjësit e policisë, vihen në pranga 4 shtetas.
Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme në një lokal afër Portit të Vlorës, punonjësit e Policisë kanë shkuar për të bërë shoqërimin e shtetasit A. C., 36 vjeç, për veprime të mëtejshme si i dyshuar për një vepër penale.
Në momentin që punonjësit e policisë do kryenin shoqërimin e shtetasit A.C, kanë ndërhyrë për ti penguar shokët e këtij shtetasi të cilët kanë kundërshtuar me dhunë shoqërimin e shokut të tyre në Polici, duke dëmtuar fizikisht punonjësit e policisë të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë në ndihmë të punonjësve të policisë kanë shkuar shërbimet e tjera të policisë, të cilat kanë bërë shoqërimin e personave në ambientet e Policisë.
Në përfundim të veprimeve të kryera nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
• A. C 36 vjeç, banues në Vlorë
• D. M., 25 vjeç, banues në Vlorë.
• S. N., 23 vjeç, banues në Vlorë.
• K. M., 22 vjeç, banues në Vlorë.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
