Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka kryer një inspekti të beftë në orët e para të mëngjesit të sotëm në pikën e kalimit kufitar të Morinës, për të parë nga afër zbatimin e masave për përballimin e fluksit.
Policia kufitare ka marrë masa shtesë me qëllim krijimin e lehtësirave për shmangien e radhëve të gjata si pasojë e fluksit. Veliu u ka kërkuar punonjësve të Policisë kufitare angazhim maksimal dhe performancë duke iu ofruar qytetarëve një shërbim sa më cilësor.
Ai porositi drejtuesit e Policisë së Morinës që në raste fluksi të aplikojnë procedurë të përshpejtuar, por nga ana tjeter punonjësit e policisë të ushtrojnë kontroll në vijën e dytë për të gjitha mjetet që dyshohen për paligjshmëri.
Gjithashtu Veliu ka kërkuar rritje të patrullimit në kufirin e gjelbër, pasi në sezone apo raste fluksesh tendenca për të zhvilluar paligjshmërinë orientohet në kufirin e gjelbër. Gjate inspektimit Veliu ka takuar edhe punonjesit e Policisë kufitare të Kosovës.
Gjatë mëngjesit të sotëm ka patur një fluks të madh të qytetarëve kosovarë në drejtim të Shqipërisë, ku vetem orët e parë të mëngjesit kanë hyrë mbi 5000 shtetas.
