A duhen shpërblyer fëmijët me para për detyrat e tyre apo për ndihmën në punët e shtëpisë?
Psikologë të ndryshëm i kanë kushtuar vëmendje marrëdhënies së prindërve lidhur me shpërblimin ndaj fëmijëve dhe thuajse të gjithë psikologët bien dakord që shpërblimi me para në një moshë kur ata nuk ja dinë vlerën është një veprim që shoqërohet me efekte negative.
Niko Sideris, një nga psikologët më të famshëm sot në fushën e marrëdhënieve prind-fëmijë, shprehet se një nga detajet më të rëndësishme mbetet mënyra e motivimit që prindërit duhet të kenë ndaj fëmijëve.
Para së gjithash, psikologët këmbëngulin se, prindërit duhet të jenë të aftët të ndajnë detyrat e fëmijëve nga “kërkesat shtesë” që mund ata mund t’u japin atyre.
“Fjalët vlerësuese, nxitëse dhe motivuese janë edukata më e mirë që mund t’u japim fëmijëve në pesë vitet e para të jetës”, shprehet Sideris në librin e tij “Fëmijët nuk kanë nevojë për psikolog, por për prindër”.
Ndërkohë, psikologë të tjerë kërkojnë një meditim përpara se fëmija të shpërblehet për një punë që i është ngarkuar në të mirë të familjes. Ka raste që një shpërblim i motivon ata për të kuptuar se duhet t’i fitojnë vetë të ardhurat dhe të dinë të kapërcejnë situatat.
Ndërkaq, sipas psikologëve, fëmijëve nën 5 vjeç u duhet mësuar bashkëveprimi që të ndihmojnë prindërit në disa punë në shtëpi, pasi kështu ata nuk do të hezitojnë kur të rriten të jenë pjesë e mbarëvajtjes së punëve të ndryshme në shtëpi, e pastaj edhe në shoqëri.
Por psikologët janë në mënyrë kategorike kundër shpërblimeve monetare lidhur me detyrat e tyre të shkollës dhe të shtëpisë, pasi një shpërblim i tillë mund të ketë pasoja afatgjatë në mënyrën se si e shikojnë botën, pasi besojnë se duhet të mësojnë apo të mos mësojnë vetëm në varësi të shpërblimeve.
Psikologët shprehen se prindërit duhet të rishikojnë marrëdhëniet me fëmijët nëse ata janë të varur nga shpërblimet dhe të bashkëbisedojnë për mënyrën se si ata mund të fitojnë një lodër apo një udhëtim.