Pas ambasadorit spanjoll nga Korça ka folur dhe përfaqësuesja e Francës në Tiranë, Christine Vasac. Ajo tha se duhet një zgjidhje për krizën politike në vend dhe se këtë nuk mund ta zgjidhin diplomatët e huaj.
“Për politikën shqiptare asnjëherë nuk themi asnjëherë. Nuk mund ta fsheh, të gjithë e dimë që situata është e tillë jemi në një krize politike, nuk kam asnjë dyshim që në të gjitha anët dhe nivelet ka njerëz të arsyeshëm që janë duke kërkuar një zgjidhje. Ju e dini mire që nuk është një diplomat i huaj që t’i japë një zgjidhje kësaj situate, por njerëzit e këtij vendi meritojnë një zgjidhje të arsyeshme”, deklaroi ambasadorja franceze.
E pyetur nëse është kaq e përgjegjshme klasa politike shqiptare për të arritur në ketë zgjidhje, ambasadorja Vasac iu përgjigj: “Edhe njëherë nuk më takon mua të prononcohem për këtë temë, ashtu siç mund ta dini para 3 ditësh ka pasur një telefonatë midis presidentit Macron dhe zotit Rama. Kjo është diçka e mirë, pozitive, unë nuk mund të them diçka me detaje sepse nuk isha gjatë kësaj bisede por e vlerësoj”, tha ajo.
Për sa i përket procesit të integrimit në BE të Shqipërisë, Vasac tha se dhe vete populli shqiptar duhet të jetë i qartë nëse është gati për Bashkimin Europian.
“Politika gjithashtu, të gjithë njerëzit, ju po më drejtoni pyetjen mbi qëndrimin e Holandës dhe Gjermanisë nuk di t’u them por edhe me Francën nuk di t’u them diçka, por nuk është diçka e mbyllur. Nuk ka diçka të mbyllur sepse ka ende kohë deri në muajin tetor dhe mund të ndodhin shumë gjëra deri në tetor”, tha ambasadorja franceze.
