Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka dënuar sulmet ruse në Kiev që kanë dëmtuar ambasadat diplomatike të Holandës dhe Austrisë.
Kryediplomati shqiptar Ferit Hoxha thotë se këto sulme të përsëritura kanë vënë në rrezik misionet diplomatike dhe personelin, përfshirë dhe përfaqësinë e Shqipërisë.
“Shqipëria shpreh solidaritetin e plotë me Holandën dhe Austrinë pas sulmeve të fundit ruse ndaj Kievit, të cilat shkaktuan dëme në mjediset e tyre diplomatike.
Ky nuk është një incident i izoluar. Sulmet e përsëritura të Rusisë kanë vënë në rrezik misionet diplomatike dhe personelin e tyre në Kiev, përfshirë edhe praninë diplomatike të Shqipërisë. Ne i njohim nga afër rreziqet dhe pasojat e sulmeve të tilla”, thuhet në reagimin zyrtar.
Ndër të tjera, Ministria e Jashtme bën thirrje që autorët e sulmeve të mbahen përgjegjës, siguria personeleve diplomatike duhet të respektohet në çdo rrethanë ashtu si dhe e drejta ndërkombëtare.
“Misionet diplomatike dhe personeli i tyre gëzojnë mbrojtje sipas së drejtës ndërkombëtare. Siguria e tyre duhet të respektohet në çdo rrethanë. Çdo sulm që i vë ata në rrezik është i papranueshëm, duhet të dënohet pa asnjë ekuivok dhe autorët duhet të mbajnë përgjegjësi.
Këto goditje janë një tjetër dëshmi e karakterit të pakursyer të luftës së agresionit që Rusia po vijon kundër Ukrainës dhe e shpërfilljes së hapur të së drejtës ndërkombëtare. Ne duhet të mbetemi të bashkuar, të vendosur dhe të palëkundur në mbështetje të Ukrainës, në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare dhe në qëndrimin tonë kundër agresionit rus”, thuhet në reagim.
Sulmet ruse ndaj Kievit kanë shkaktuar dëme edhe në ambasadat e Austrisë dhe Holandës. Sipas ministrit të Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, një dron rus ka goditur pranë ambasadës holandeze, ndërsa është dëmtuar edhe godina e ambasadës austriake. Mbetje të dronëve kanë rënë gjithashtu në territorin e Ministrisë së Jashtme të Ukrainës. Sybiha dënoi sulmet dhe kërkoi një reagim të fortë ndërkombëtar ndaj Moskës, duke e cilësuar Vladimir Putinin si kriminel dhe terrorist.
