Rusia ka pranuar të marrë pjesë në bisedime shumëpalëshe me vendet evropiane, sipas të dërguarit amerikan Jared Kushner. Deklarata u bë në përfundim të samitit të “Koalicionit të Vullnetmirëve” në Berlin, ku liderët diskutuan garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe mundësitë për t’i dhënë fund luftës.
“Rusia ka pranuar të marrë pjesë në një format shumëpalësh me evropianët. Rusia dhe Evropa duhet të rifillojnë të flasin me njëra-tjetrën”, deklaroi Kushner.
I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump foli edhe për garancitë e sigurisë për Ukrainën, duke thënë se ato do të bazohen te neni 5 i Traktatit të NATO-s.
“Besoj se kemi arritur që rusët të ndihen të qetë me këtë koncept”, tha Kushner. Ai shtoi se Trump është i hapur ndaj kësaj mundësie, por theksoi se një angazhim i tillë duhet të jetë në interes të Shteteve të Bashkuara.
Nga ana tjetër, kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se sanksionet ndaj Rusisë mund të hiqen gradualisht, por vetëm me kushte që garantojnë sigurinë dhe sovranitetin e Ukrainës.
“Ukraina duhet të jetë sovrane në një Evropë të sigurt. Duhet të ketë një marrëveshje për territoret përgjatë vijës së kontaktit dhe Ukraina duhet të jetë në gjendje të ndjekë rrugën e saj evropiane. Në këmbim, mund të mendohet heqja hap pas hapi dhe me kushte e sanksioneve ndaj Rusisë”, tha Merz.
Kancelari gjerman u shpreh i gatshëm për bisedime me presidentin rus Vladimir Putin, por kërkoi që ato të zhvillohen në një vend neutral, me pjesëmarrjen e Ukrainës, Rusisë, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Ai përmendi Emiratet e Bashkuara Arabe si një mundësi.
“Reagan i tha Gorbaçovit ta rrëzonte murin. Ne i themi Putinit: Jepini fund kësaj lufte dhe lejoni të gjendet një zgjidhje diplomatike”, deklaroi Merz.
Presidenti francez Emmanuel Macron theksoi se negociatat duhet të ndjekin një rend të qartë: fillimisht garancitë e sigurisë për Ukrainën, më pas çështja e territoreve dhe në fund paqja.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se anëtarësimi në NATO është garancia më e mirë e sigurisë për Ukrainën dhe, sipas tij, për të gjithë Evropën. Ai falënderoi Bashkimin Evropian për 45 miliardë euro ndihma, si dhe partnerët që po mbështesin Kievin.
Në samit u përfshi përmes një telefonate nga avioni presidencial “Air Force One” edhe Donald Trump. Sipas agjencisë Bloomberg, presidenti amerikan u tha liderëve evropianë se biseda e tij me Putinin në Shenzhen kishte shkuar mirë dhe se do të ndihmonte për arritjen e paqes.
Por sipas mediave Politico dhe Welt, Trump kritikoi gjatë telefonatës miliardat e tjera të ndihmave për Ukrainën. Dy burime e përshkruan ndërhyrjen e tij si një shpërthim pakënaqësie, ndërsa një burim tjetër tha se kishte përdorur tone më të moderuara.
Në samitin e organizuar nga kancelari Merz morën pjesë mbi 30 liderë, mes tyre edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, si dhe të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff.
Gjatë takimit, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen theksoi se një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes forcës, ndërsa sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, kërkoi vazhdimin e furnizimit të Ukrainës me armë.
Samiti u zhvillua ndërsa Rusia vijoi sulmet ndaj Kievit. Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha njoftoi se ishin dëmtuar ambasadat e Austrisë dhe Holandës, ndërsa mbetje dronësh kishin rënë edhe në territorin e Ministrisë së Jashtme ukrainase.
“Në Shenzhen, Putin u paraqit si një lider botëror. Në të vërtetë, ai është një kriminel dhe terrorist i nivelit botëror dhe duhet të trajtohet si i tillë”, deklaroi Sybiha.
