Benyamin Hajro, 56 vjeç është ekstraduar nga Gjermania pasi është dënuar me 25 vite burg për vrasje për një ngjarje të ndodhur në vitin 1997, kur Hajro ishte 34 vjeç.
Ngjarja makabre ndodhi në qytetin e Beratit dhe hetimet rinisën në vitin 2012.
SI KA NDODHUR NGJARJA
Bëhet fjalë për vrasjen e Arjan Avdullait dhe Eduart Pemës, ku bashkë me Hajron në gjykatë u dërguar dhe tre persona të tjerë.
Dy të rinj u morën peng nën kërcënimin e armëve në qershor ’97. Ata janë mbajtur një natë duke u keqtrajtuar në një garazh dhe të nesërmen, në mes të Beratit, trupat e tyre janë lyer me benzinë dhe u është vënë flaka teksa viktimat ishin lidhur. Viktima të krimit makabër ishin Arjan Avdullai dhe Eduart Pema, ndërsa në 2014 katër persona dërgohen në gjyq të akuzuar për ngjarjen e rëndë. Prokuroria e Beratit ka ngritur akuzë ndaj shtetasve Kudret Zhuka (i arrestuar në dhjetor 2013), Kastriot Frashëri, Byniamin Hajro dhe Gazmend Hoxha.
Sinjali i parë që solli rihetimin e ngjarjes u mor nga një efektiv policie që mësoi se familjet e disa prej autorëve të masakrës së ndodhur në Berat ishin larguar jashtë Shqipërisë nga frika e gjakmarrjes. Megjithatë, prova vendimtare që siguroi prokuroria, provë e cila zbardhi edhe krejt ngjarjen, ishte dëshmia e shtetasit Ronaldo Pema. Vëllai i njërit prej viktimave (Eduart Pemës), kishte qenë bashkë me të vrarin në momentin kur makina e autorëve ndaloi aty dhe të akuzuarit me armë në kokë e detyruan të riun të hipte në mjetin e tyre për ta çuar te vendi i keqtrajtimit. Prokuroria bën me dije se ka pasur vështirësi të mëdha në hetimin e ngjarjes, pasi viktimave me vështirësi u janë gjetur edhe varret.
VRASJA
Vrasja e dy viktimave, Arjan Avdullai dhe Eduart Pema, ka ndodhur më datë 3 qershor 1997 në orën 10:30 në lagjen “Jani Vruho”. Një grup personash të paidentifikuar kanë vrarë me armë zjarri automatik shtetasit Arjan Avdullai dhe Eduart Pema. Në kohën kur ka ndodhur ngjarja nuk ka qenë e mundur kryerja e veprimeve hetimore për shkak të vitit të mbrapshtë 1997. Hetimi për ngjarjen nisi një vit më vonë, më 1998. Pas shumë përpjekjesh, më 17 prill 2012 është vendosur rifillimi i hetimeve për shkak të deklarimeve të dhëna nga shtetasi Bledar Pema (ndryshuar emri në Ronaldo Pema). Ai ka thënë se atë ditë që u rrëmbyen, rreth orës 17:00 të pasdites ka qenë me vëllain, Eduart Pema, duke ndenjur në trotuarin e rrugës që të çon në lagjen “Vakëf”, afër spitalit “Befotrof”.
NJOFTIMI I SOTEM I POLICISE SE SHTETIT
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Wiesbaden, u bë i mundur arrestimi dhe ekstradimi nga Gjermania drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Byniamin Hajro, 56 vjeç.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Vlorë në vitin 2017 e ka dënuar me 25 vjet burg për veprën penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim ” parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal.
Me datë 17.04.2012, është vendosur rifillimi i hetimeve në lidhje me ngjarjen e datës 22.03.1998 ndodhur në Berat, ku u rrëmbyen dhe më pas u vranë shtetasit E.P. dhe A.A.
Gjykata e Apelit Vlorë në vitin 2017 ka deklaruar fajtor për këtë ngjarje shtetasin Byniamin Hajro duke e d)nuar me 25 vite burgim.
