Joe Meyer është kryebashkiaku i Covningtonit në SHBA por që prej shumë vitesh ka qenë vëzhgues në zgjedhje në shumë vende të botës, ku i fundit është ai i 30 qershorit në Shqipëri.
Me titullin “Bojkot zgjedhor dhe djegie e votave; si vëzhgues ndërkombëtar, kryetari i bashksië së Covington pa historinë në Shqipëri”, media amerikane “Northern Kentucky Tribune” ka shkruar se si Meyer e ka parë këtë proces.
“Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme”, thotë Meyer i cili kaloi nëntë ditë në Shqipëri, për t’u rikthyer në Covington më 3 korrik. “Kalimi në një formë demokratike të qeverisjes pas shumë vitesh kontrolli nga fuqitë e jashtme është shumë sfiduese, dhe nuk mund ta gjeni udhëzime në asnjë libër.”, vijon ai.
Media amerikane vijon duke thënë se me polarizimin e ashpër në Shqipëri, nuk ishte çudi që organizata mëmë e vëzhguesve (ODIHR), një organ i OSCE, nisi deklaratën e konkluzioneve paraprake me një shqiptim të përmbledhur të sinqertë: “Zgjedhjet lokale të 30 qershorit (në Shqipëri) u mbajtën me pak kujdes për interesat e elektoratit. Sidoqoftë, në terren ne qendrat e votimit, ODIHR theksoi se “votimi u zhvillua në mënyrë përgjithësisht paqësore dhe të rregullt dhe numërimi u vlerësua pozitivisht në përgjithësi, megjithëse disa procedura nuk u ndoqën gjithmonë si duhet”.
Meyer ishte caktuar të vëzhgonte në Shkodër, me skuadrën e tij katër anëtarëshe, që përfshinte një zyrtar nga Irlanda, një përkthyes dhe një shofer. Ai vëzhgoi 53 qendra votimi, ku mbajti shënim çdo ngjarje.
Meyer ka shërbyer si vëzhgues ndërkombëtar pothuajse çdo vit që nga viti 2004, në Bosnje, Taxhikistan, Kirgistan, Armeni, Bullgari, Ukrainë, Gjeorgji, Maqedonia e Veriut. Ai u rekrutua për këtë mundësi nga një zyrtar nga Frankfort që e njihte gjatë kohës që ka qenë anëtar i Dhomës dhe Senatit të Kentucky.
Nëse e pyet Meyer për përvojat e tij ai nis shpjegimin për çdo vend, kulturën, origjinën, traditat etj.
Në gjykimin e Meyer, që ka 14 vite eksperiencë si vëzhgues, SHBA duhet të adoptojë disa nga proceset e votimit të këtyre vendeve.
Për shembull thotë Meyer, Shqipëria voton ditë të diel që është ditë pushimi, ndryshe nga SHBA që votojnë ditë të martë, ditë jave dhe pune.
“E gjithë kjo eksperiencë na jep një pamje të mënyrës sonë të qeverisjes këtu, gjërave që kemi në Shtetet e Bashkuara”, vijon ai.
