Policia e Tiranës bën të ditur se një punëtor 51-vjeçar është plagosur me thikë nga pronari i shtëpisë ku po kryente punimet.
Ngjarja ka ndodhur në një shtëpi në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë, dhe pronari i shtëpisë, i dënuar më parë për vjedhje është vënë në pranga.
Policia bën të ditur se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, dhe i plagosuri ndodhet në spitalin e Traumës nën kujdesin e mjekëve.
Vetëm një muaj më parë mbeti i vrarë 26-vjeçari Indrit Çela, punonjës kondicioneri, i cili ishte duke punuar në shtëpinë e vëllezërve Kusi. Ai u qëllua me plumb në kokë nga vëllezërit, të cilët janë ende në kërkim.
NJOFTIMI I POLICISE
Plagos me mjet prerës për motive të dobëta, punëtorin që po i kryente punime në banesë, në pranga 44-vjeçari.
Shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr.4, arrestuan në flagrancë, shtetasin:
- S. A., 44 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për “Vjedhje”).
Në rrugën “Myslym Keta” brenda në banesë, ky shtetas ka goditur me mjet prerës për motive të dobëta shtetasin D. L., 51 vjeç i cili ka qënë duke kryer punime në banesën e shtetasit S. A. I dëmtuari D. L., aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës nën kujdesin mjekësor.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, në ngarkim të shtetasit S. A.
