Kryeministri Edi Rama ka komentuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke e cilësuar atë si një proces gjithnjë e më kërkues për vendet kandidate.
Gjatë pjesëmarrjes në Forumin e II-të të Zgjerimit të BE-së, në Bruksel, Rama u ndal te kriteret dhe standardet që duhet të përmbushin Shqipëria dhe Mali i Zi, duke theksuar se vendet kandidate po zbatojnë rregullat e anëtarësimit edhe përpara se të bëhen pjesë e unionit.
Ai e ilustroi këtë sfidë me një metaforë, duke nënvizuar se Shqipëria po përmbush kriteret e meritës pa pasur ende mundësinë të jetë pjesë e tryezës europiane.
“Ka një mit, sepse kushdo që është në këtë ndërtesë nga ana e komisionit, mund të thotë se ky proces është më shumë kërkues nga sa ka qenë me vendet që tashmë janë anëtarë. Çdo vend që vjen më pas ka një proces akoma më të vështirë, që duhet të përmbushë. Sepse ‘torturuesit’, i sofistikojnë ‘torturat’ e tyre. Nëse sot shihni Malin e Zi apo Shqipërinë, ne kemi bërë shumë më tepër se sa kanë bërë ata para anëtarësimit. Komisioni në çdo hap na ka kërkuar të përmbushim ato rregulla që ne do i zbatojmë kur të hyjmë. Pra ne po zbatojmë rregullat e meritës ende pa patur shansin për të qenë në të njëjtën dhomë me nusen”, tha kryeministri Edi Rama
