Leo Mesi ka shfrytëzuar ditën e tij të pushimit të dhënë nga klubi i Barcelonës për të bërë një vizitë rrufe në Itali, për të takuar mjekun e tij të preferuar. Bëhet fjalë për dietologun Xhiulano Poser, i cili ka zgjidhur prej disa vitesh problemet që kishte “Pleshti” me stomakun dhe që herë pas here i shkaktonte të vjella edhe në fushë.
Specialisti italian ishte i vetmi që arriti të gjente zgjidhje për këto probleme të Mesit, ndaj argjentinasi sot udhëtoi me avionin e tij privat drejt Friulit për të takuar doktorin e tij dhe për të marrë udhëzimet e fundit rreth dietës ushqimore që duhej të ndiqte. Prej disa muajsh, ai nuk kishte pasur mundësinë ta bënte një gjë të tillë, duke respektuar kërkesën që i kishte bërë Barcelona.
Që kur kjo e fundit i dorëzoi Mesit shiritin e kapitenit në fillimin e sezonit, i bëri të qartë se pavarësisht besimit që kishte ai te specialisti italian, duhej të jepte shembullin e mirë duke i besuar stafit mjekësor të klubit katalanas. Ndaj vizita e fundit e Mesit ishte para Botërorit, kur ai shkoi në Itali për të bërë një kontroll para pjesëmarrjes në aktivitet. Ai nuk kishte dalë kundër dëshirës së katalanasve më parë, por e ka bërë sot, i ndërgjegjshëm se i duhej një program sa më i mirë në pjesën e dytë të sezonit ku me klubin e tij ka si objektiv të fitojë përsëri gjithçka.