Gjashtë persona u përfshin në një sherr mbrëmjen e djeshme në Selenicë të Vlorës, ku disa persona janë konfliktuar me rojen e një firme inertesh. Ky i fundit më pas ka goditur me makinë njërin prej tyre.
Ngjarja e komplikuar është sqaruar mëngjesin e sotëm nga policia e Vlorës.
Sipas burimeve zyrtare, një person është arrestuar dhe gjashtë të tjerët po hetohen në gjendje të lirë. I arrestuari është roja A.N, i cili ka shtypur P.D dhe gjatë kontrollit iu gjet një thikë.
Ndërkaq P.D dhe miqtë e tij po hetohen pasi kanë kanosur me fjalë përfaqësuesit e firmës së përpunimit të inerteve. Por në hetim janë dhe vetë këta të fundit, pronari i firmës Y.S dhe tekniku i kësaj shoqërie B.H, të cilët denoncuar se ishin dhunuar fizikisht, por ja që nuk ka ndodhur kështu.
NJOFTIM I POLICISE
Policia ka bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të konfliktit të ndodhur ditën e djeshme në Selenicë. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 6 të tjerë.
Më datë 26.09.2019, në fshatin Kotë, pranë vendit të quajtur “Qafa e Dushkut”, Bashkia Selenicë, shtetasi A. N., i punësuar si rojë në një firmë të përpunimit të inerteve, ka goditur me automjet për motive të dobëta shtetasin P. D., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas kontrollit të ushtruar ndaj shtetasit A. N., policia gjeti një mjet prerës thikë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale si armë e ftohtë.
Në këto kushte, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin A. N., 38 vjeç, banues në fshatin Lepenicë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe ” Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Në vijim të veprimeve hetimore, Policia ka proceduar në gjendje të lirë shtetasit: P. D., E. R., E. D. dhe D. T, pasi këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kanosur me fjalë përfaqësuesit e firmës së përpunimit të inerteve.
Gjithashtu, nga hetimet e mëtejshme, Policia ka proceduar në gjendje të lirë për “Njoftim të rremë në organet e rendit” shtetasit: Y. S. (pronari i firmës) dhe B. H. (tekniku i kësaj shoqërie), pasi këta shtetas kanë njoftuar se janë dhunuar fizikisht, fakt i cili nuk ka rezultuar të jetë i vërtetë.
