Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi gjatë raportimit në Kuvend për 6 mujorin e punës të institucionit që drejton iu përgjigj dhe pyetjeve të deputetëve lidhur me deklaratën e Ramës për grupin KÇK (Kap Ç’të Kapësh), gjyqtarë e prokurorë që ende nuk e kanë kaluar vetingun, e që sipas kryeministrit janë grup i rrezikshëm kriminal.
Ibrahimi e ka quajtur qëndrim politik këtë të Ramës e sipas tij është e pamjaftueshme për të bërë gjyq.
Kryeministri Edi Rama bëri një akuzë të përgjithshme dhe politike, si të tillë e kemi trajtuar edhe ne. Nuk është se po bëjmë një hetimit të thelluar, por po e shohim në përgjithësi. Nuk mjafton për të bërë gjyq”, tha Ibrahimi në përgjigjen e tij ndaj deputetëve të Komisionit të Ligjeve.
Ngritja SPAK
Ibrahimi i është përgjigjur dhe interesit të deputetit Spartak Braho i cili kërkoi që SPAK të ngrihet edhe me gjysme e prokurorëve të saj. “Pse nuk e filloni punën me 8 nga 15 kandidat për SPAK?’, ka pyetur Braho.
Por Gent Ibrahimi ka thënë se: “Tani që flasim kemi 8 prokurorë që mund ti emërojmë të cilët kanë kaluar vettingun nga 15 kandidatë. Dhe në momentin që i emërojmë SPAK fillon punën. Por, nëse i emërojmë këta 8 prokurorë në SPAK, atëherë i bie që çdo prokuror do të ketë mbingarkesa shumë të madhe. Shumë shpejt do të kolaudojmë në krijimin e SPAK. Procesi i krijimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jetë i gjatë”.
