Kristiano Ronaldo do të kishte fituar më shumë ‘Topa të Artë’ nëse nuk do të ishte për mafien. Është ky pretendimi i Dolores Aveiro, mamasë së sulmuesit të Juventus. Dolores nuk e ka mbajtur aspak gjuhën, por ka theksuar se kjo ndodh pasi djali i saj është nga Madeira e Portugalisë, pasi historia do të ishte ndryshe nëse CR7 do të ishte spanjoll apo anglez.
“Ka një mafie në futboll, kjo është fjala më e mirë për ta përcaktuar. Nëse nuk do të ishte për këtë mafie, djali im do të kishte fituar më shumë ‘Topa të Artë’. Nëse do të shikoni atë që ka ndodhur, do ta kuptoni se bëhet fjalë për mafie.
Nëse djali im do të ishte spanjoll apo anglez, nuk do të kishin bërë atë që kanë bërë, por duke qenë se është nga Madeira e Portugalisë atëherë ndodhin këto. Nuk e di nëse këtë vit do t’ia japin ‘Topin e Artë’, por unë shpresoj. Mendoj se e meriton, nëse i hedhim një sy atyre se çfarë ka bërë gjatë sezonit”, u shpreh e ëma e Ronaldos.
