Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se brenda 6 mujorit të parë të 2020 nuk do të ketë më sportele në zyrat e shtetit, por të gjitha dokumentet shtetërore do të merren online.
Gjatë takimit të përjavshëm për bashkëqeverisjen Rama tha se të vetmet dokumente që qytetarët do të duhet të marrin fizikisht do të jenë ato të institucioneve private, si vërtetime bankare, vërtetim nga institucioni i punës që është privat etj.
“Duke qenë se e nisëm me vetëm tre shërbime online dhe sot kemi mbi 350 shërbime që ofrohen online përmes portalit e-albania, duke qenë se kemi fuqinë gjithmonë e më të rritur të kapaciteteve të platformës mendoj që ka ardhur koha që të bëjmë një hap të madh përpara dhe të kalojmë duke nisur nga viti i ardhshëm për një periudhë relativisht të shkurtër në heqjen e të gjitha letrave, dosjeve, dokumenteve për kërkesat e qytetarëve në masën mbi 90%. që do të thotë duke nisur nga viti i ardhshëm do të hyjmë në një fazë të re revolucioni, do të jetë një përmbysje e madhe sepse shumë shërbime nuk do të jepen më që qytetari të vijë tek sporteli, nuk do i duhet qytetarit të bëjë varavingo, të mungon dokumenti këtu shko merre atë atje pastaj kthehu prapë, po duke i dhënë mundësinë qytetarit të aplikojë online.Heqim kërkesën për qytetarët që do të sjellë dokumente shtetërore. kjo do të thotë që nëse ti bën një kërkesë të duhen 20 dokumente, nga këto 20 dokumente, 1 2 3 dokumente janë privat, pra një vërtetim bankar, një vërtetim nga vendi i punës në privat është një vërtetim nga nuk e di çfarë institucioni për çfarë arsye do ti gjesh vetë. Dokumente që janë shtetërore do ti kërkoj dhe do ti gjejë për qytetarin ata që rrinë atje te sporteli dhe janë mësuar vetëm ti thonë qytetarët hë po këtë. Jo, fare. Jam besimplotë që brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm ne do të mbyllim sportelet në një masë shumë të madhe. Natyrisht për aplikime, sepse ta marrësh shërbimin në telefon do ende kohë”, tha Rama.
