Pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PSSH-së, Sekretari i Përgjithshëm Taulant Balla dhe ai Organizativ Arben Pëllumbi zhvilluan një takim tjetër me kryetarët e 61 bashkive dhe ato të asambleve socialiste në këto njësi vendore.
Fillimisht numri dy i PS-së falenderoi të gjitha strukturat e partisë për fushatën e zgjedhjeve për kandidatët për delegatë të kongresit.
“Ne, tha Balla, zhvilluam një fushatë korrekte dhe transparente. Proçesi ishte shumë i rregullt dhe për këtë meritojnë të falenderohen të gjitha strukturat si dhe të drejtuesit politik të qarqeve. E rëndësishme është se delegatët e zgjedhur nuk kanë probleme me drejtësinë sepse iu nënshtruan të gjithë vetdeklarimit”.
Balla theksoi se deri në fundjavë do të mblidhen të gjitha asambletë socialiste në të gjitha bashkitë e vendit dhe të propozojnë kandidaturat për kryetarë të rinj të asambleve në bashki.
“Do të ishte mirë të sillni dy deri në tri kandidatura për kryetarë të PS-së në bashkitë tuaja. Mblidhni asambletë dhe sillni kandidaturat më të mira. Ideale do të ishte që kandidatura të ishte konsensuale. Pas miratimit në Kryesinë e PS-së ato do të votohen nga asambletë e zgjeruara të PS-së në çdo bashki.”, nënvizoi Balla. /tirananews.al/
