Kryeministri Edi Rama iu ka ndarë detyrat disa prej ministrave të kabinetit të tij qeverisë, lidhur me situatën e jashtëzakonshme të shpallur në Tiranë, Durrës dhe Laç, pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.
Gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, Rama ngarkoi ministrin e Bujqësisë, Bledi Çuçi, si njeriun që do të drejtojë operacionin për fatkeqësinë natyrore të shkaktuar nga tërmeti.
“Mandati i Çuçit është fuqiplotë dhe për këtë temë ai është ministri fuqiplotë, të gjithë të tjerët janë në funksion. Çuçi është komisar fuqiplotë, duhet të ndiqen të gjitha ato që kërkohen, një për një.
Brenda vitit 2020 nuk duhet të ketë më asnjë diskutim për të gjithë ata persona që kanë humbur shtëpitë nga tërmeti, do jenë rregulluar më mirë seç ishin. Nesër do marrim vendimin e parë për të gjitha familjet që kanë humbur njerëz. Për ta nesër duhet këtu në tryezë një paketë speciale e drejtpërdrejtë”, tha kryeministri Edi Rama.
