Kreu i shtetit Ilir Meta për rreth një orë ka qënë në prokurorinë e Tiranës ku është pyetur lidhur me kallëzimin e tij për kreun e KED-së, Ardian Dvorani. Meta tha se do të bashkëpunojë ngushtë me prokurorinë duke e konsideruar këtë një rast tmerrësisht flagrant.
“Jemi këtu në respekt të pritjes suaj dhe natyrisht që nuk mund të largohesha pa respektuar dhe vëmendjen tuaj pavarësisht se për momentin ka çështje dhe më të mprehta. Por me pak fjalë mund tju them se jam këtu në përgjigje të ftesës nga institucioni i prokurorisë pas kallëzimit penal që unë kam bërë për shtetasin Ardian Dvorani për dy vepra të qarta penale të përmbushura me dashje prej tij, atë të shpërdorimit të detyrës dhe përvetësimit të kompetencës dhe titullit shtetëror. Besoj se kemi dhënë sqarime të mëtejshme dhe plotësuese në vijim të të gjithë provave dhe dokumenteve që kemi dorëzuar së bashku me kallëzimin tonë penal. Rasti është tmerrësisht flagrant. Unë shpresoj që prokuroria të mos jetë nën presione politike dhe të bëjë punën e saj me profesionalizëm dhe durim. Mendoj se kjo është një provë e madhe për të gjithë të ardhmen e reformës në drejtësi”, tha Meta.
Ai kërkoi që prokuroria të veprojë ndaj siç e quajti ai “shtetasit Ardian Dvorani”. “Ne nuk bëjmë presione pavarësisht se çështja është mjaft e rëndë se ka vënë në pikëpyetje të madhe gjithë funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri”, tha Meta.
