Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e ka quajtur tepër kurajoz qëndrimin e kryeministrit Edi Rama në mbështetje të planit rajonal të ashtuquajtur “mini-Shengen”. Sipas tij, vendet europiane po ngurrojnë ta përkrahin dhe mund ta devijojnë atë, edhe pse përfitimet për vendet e rajonit janë të qarta.
Atyre nuk u pëlqen që Ballkani po sheh punën e vet, e kanë të vështirë kur nuk vendosin dot për ne. Por nga ana tjetër as nuk mund ta kundërshtojnë drejtpërdrejt sepse iniciativa është pjesë e katër lirive dhe vlerave që përbëjnë Bashkimin Europian, dhe që janë e drejta e lëvizjes së lirë të njerëzve, e kapitalit, e shërbimeve dhe e produkteve,” deklaroi Vucic.
Sipas tij, sapo të gjitha vendet e rajonit të ndërgjegjësohen për nismën, përfitimet do të jenë të padiskutueshme dhe miliarda dollarëshe.
Në këtë këndvështrim ai rezervoi disa fjalë të mira edhe për kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
“Kryeministri Rama është në favor të bashkëpunimit tonë ekonomik, ndryshe nga disa të tjerë në rajon që këmbëngulin se ne duhet vetëm të kërkojmë ndjesë pasi jemi popull gjenocidal. Por kjo është politika e tyre. Rama, për nismën e Shengeni të vogël, ka treguar kurajë të rrallë,” shtoi Vucic.
I pyetur në lidhje me perspektivën e rifillimit të dialogut Prishtinë-Beograd, Vuçiç përsëriti qëndrimin se situata mbetet e paqartë për aq kohë sa Kosova nuk ka një qeveri dhe as vendim për anulimin e tarifave 100 për qind për produktet serbe.
