Fatkeqësitë natyrore që kanë goditur së fundmi vendin tonë kanë detyruar Ministrinë e Financave të bëjë me detyrim sigurimin e banesave.
Dje kanë dalë detaje nga drafti, ku evidentohet se çdo pronar i ndërtesës do paguajë me detyrim 15-25 euro për sigurim banese, ndërsa kompensimi në rast dëmesh do të jetë nga 15 mijë deri në 25 mijë euro. Shuma e sigurimit, sipas këtij ligji, është shuma e garantuar e dëmshpërblimit, për të gjitha dëmet e ndodhura në pronën e sigurueshme, të shkaktuara nga një apo disa ngjarje tërmeti të ndodhura gjatë periudhës së vlefshmërisë së një kontrate të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet.
Ndër të tjera në draft sqarohet se sa do jetë vlera e primeve për banesat bazuar në llojin e materialit të ndërtimit. Të dhënat në draft i klasifikojnë ndërtesat në: “Lloji i ndërtimit”A, beton i armuar: nënkupton strukturat e siguruara, qoftë skeletit betonarme ose skelet beton arme me mbushje muratore, të cilat janë të projektuara për t’i bërë ballë ngarkesave anësore. Ndërtesa të “Lloji i Ndërtimit” B, muraturë e të tjera: nënkupton të gjitha strukturat e siguruara që nuk përfshihen në Kategorinë e Ndërtimit. Konkretisht, primi i sigurimit do të jetë 25 Euro, për subjektet e ndërtuara me beton dhe 15 Euro, për subjektet e ndërtuara me muratura të tjera.
Ndërkaq edhe kompensimi do jetë në shkallën e vlerës së sigurimit, pasi sipas ligjit, primi i sigurimit nënkupton koston financiare që duhet të paguhet për marrjen e mbulimit të sigurimit, sipas këtij ligji. E shprehur në shifra, kompensimi në rast dëmi do jetë në vlerat e 25,000 eurove për llojet e ndërtimit A dhe 15,000 euro për llojet e ndërtimit B. Më tej në draft bëhet e qartë se pjesa e zbritshme është përcaktuar në nivelin e 2% të vlerës së dëmit edhe mbulohet nga subjekti i siguruar. Ky sigurim mbulon gjithashtu sendet brenda banesës, deri në 10 të shumës së sigurimit në varësi të llojit të objektit të siguruar. Për të marrë kompensim në rast dëmi pronarët e pronës së sigurueshme duhet të lidhin një kontratë të vlefshme të sigurimit të detyrueshëm nga tërmeti në përputhje me dispozitat e këtij ligji, si dhe të sigurojë rinovimin e saj çdo vit.
Dëmet që përjashtohen nga kontrata e sigurimit
Gjithashtu në draftligj bëhen të qarta dëmet të cilat përfshihen nga ky sigurim, si dhe dëmet të cilat përjashtohen nga kompensimi i kësaj kontrate. Kontrata e sigurimit të detyrueshëm përjashton: humbjet që lidhen me heqjen e mbeturinave, fitimin e munguar, ndërprerjen e biznesit, humbjen e qerasë, banesë alternative dhe shpenzimet e zyrës, detyrimet ligjore dhe humbjet e ngjashme pasuese; të gjitha lëndimet trupore duke përfshirë edhe vdekjen; kërkesa për kompensim të dëmeve morale dhe humbjet përveç atyre të shkaktuara nga tërmeti dhe zjarri, shpërthimi, tsunami, rrëshqitje e tokës, ulje apo zhvendosje të shkaktuara nga tërmeti. Ndërkaq nuk përfshihen në kontratën “Për sigurimin e detyrueshme të dëmtimeve nga tërmeti” edhe dëmet e shkaktuara nga përmbytjet. Gjithashtu sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmeti nuk zbatohet për pronat e mëposhtme: ndërtesat të cilat përbëhen nga argjile, strukturë me fibër- kallami ose të ngjashme dhe ndërtesa me vendosje të lëvizshme ose të përkohshme. Përveç rasteve që nuk përfshihen nga ky sigurim, në draft bëhet e ditur se do të përfshihen në kontratë të sigurimit edhe banesat sociale, të cilat janë në pronësi të bashkive. Bashkitë do të financojnë primet përkatëse nga buxhetet e tyre. Buxheti i shtetit është përgjegjës për financimin e primit të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetit për personat me ndihmë ekonomike, me kompensime në vlerë financiare që përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
/SOT.com