Janari pritet të jetë muaji i të vërtetës për Elseid Hysajn, pasi me shumë mundësi, mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare do t’i japë lamtumirën skuadrës së Napolit. Por problem kryesor në këtë transferim mbeten paratë, pasi pagesa që kërkojnë napolitanët e së fundmi rroga është bërë pengesë për futbollistin.
Për çështje rrogash ka dështuar pa nisur mirë një negociatë e mundshme me Juventusin për kalimin te bardhezinjtë. Hysaj pëlqehet nga Mauricio Sarri i cili e ka drejtuar te Empoli dhe Napoli dhe u ideua një shkëmbim i mundshëm me De Shiljon. Por që në diskutimet e para, kjo hipotezë ra poshtë.
Problem është fakti se De Shiljo, të cilin e Gatuzo e njeh shumë mire pasi e ka pasur shok skuadre te Milani, ka një rrogë shumë të lartë te Juventusi, 2,6 milionë euro në vit. Napoli as që mendon të paguajë një shifër të tillë për lojtarin.
Ndaj diskutimi për të çuar Hysajn në Torino është mbyllur menjëherë, pasi bardhezinjtë nuk e mendojnë gjithashtu hipotezën e blerjes së kartonit të tij, aq më shumë me shifrat e ekzagjeruara që kërkon normalisht presidenti De Laurentis. Kësisoj, për momentin ka rënë një nga pistat e merkatos dhe pritet të mësohet se si do të jetë situata me të tjerat, në Itali apo jashtë saj.