Vëllai i biznesmenit 47-vjeçar Kastriot Reçi, që u qëllua dje për vdekje me armë të tipit ‘snajper’ në Rrëshen, ka treguar dinamikën e ngjarjes ku dhe ai vetë ishte dëshmitar.
“Ne sapo kishim parkuar makinën dhe u nisëm drejt lokali ‘Mirdita’. Kastrioti po fliste në telefon dhe unë vazhdova më para dhe u futa në lokal. Akoma nuk isha ulur në karrige kur dëgjova njerëz tek bërtisnin dhe grumbulloheshin. Dola menjëherë i habitur pasi as krisma nuk dëgjova, dhe pashe vëllain të shtrirë përmbys.
Nuk kishte shumë gjak në rrugë dhe menjëherë e dërguam tek spitali. Kur e zhveshëm në spital, pamë që ai kishte marrë një plumb mes dy shpatullave dhe kishte ndërruar jetë menjëherë”, ka rrëfyer për të afërmit vëllai i viktimës.
