Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit, sipas vëzhgimit të kryer nga OSBE në kuadër të një projekti monitorimi të nisur që prej vitit 2021, kanë përballë vetes 7 sfida për të rritur nivelin e drejtësisë.
Duke njohur përmirësimin e bërë në disa fusha, në raport evidentohet si një problem që kërkon zgjidhje ndëshkimi kolektiv me pezullimin e afateve të paraburgimit.
“Projekti identifikoi shqetësime lidhur me praktikën e gjykatave për të pezulluar afatet e paraburgimit për të bashkëpandehurit që nuk e kanë shkaktuar shtyrjen e gjykimeve. Në dhjetë raste të monitoruara, ku paraburgimi ishte caktuar si masë sigurimi, gjykatat i pezulluan afatet e paraburgimit për të gjithë të bashkëpandehurit, pavarësisht përgjegjësisë individuale për vonesën. Kjo praktikë, ndonëse synon të ruajë unitetin e gjykimeve, në fakt penalizon të pandehurit që nuk kanë kontribuuar në vonesat procedurale, duke ngritur shqetësime nën dritën e nenit 5 të KEDNJ-së, i cili mbron të drejtën për liri dhe siguri.”
Vëzhgimi i seancave, po ashtu, evidentoi se avokatët e caktuar kryesisht nga gjykatat për të pandehurit kanë çuar në mbrojtje joefektive.
“U zhvilluan 181 seanca me pjesëmarrjen e avokatëve të caktuar nga gjykatat kryesisht. Prej tyre, performanca e avokatit të caktuar kryesisht u vlerësua e pamjaftueshme në 13 seanca (7 për qind), duke rezultuar në një mbrojtje joefektive. Palët e interesuara gjyqësore informuan se disa gjyqtarë kanë paraqitur projektpropozime në KLGJ, duke avokuar për një rritje të shpërblimit të avokatëve mbrojtës kryesisht, veçanërisht në procedurat para gjykatave të posaçme.”
Po ashtu, në zgjidhje të kësaj situate, është sugjeruar edhe krijimi i një liste të posaçme të avokatëve për çështjet pranë GJKKO-së së Shkallës së Parë dhe Apelit.
Ndërkohë, ka rezultuar se avokatët mbeten ende shkaku kryesor i pjesës më të madhe të seancave joefektive dhe për këtë kërkohen masa dhe rritja e pragut të gjobave.
Një shqetësim tjetër që, sipas OSBE-së, duhet të adresohet është trajnimi i gjyqtarëve që komandohen në dy gjykatat e posaçme dhe përzgjedhja e tyre në bazë të një filtri ndryshe nga udhëzimet aktuale.
Sinkron me lexim – OSBE: Sigurimi që gjyqtarët e caktuar nëpërmjet skemës së komandimit të kenë ekspertizën e nevojshme dhe mbështetjen institucionale për të gjykuar me efektivitet këto procese është, pra, kritike për ruajtjen e efikasitetit, konsistencës dhe integritetit të juridiksionit të posaçëm.
Në raportin e monitorimit, që përfshinte periudhën nga qershori i vitit 2024 deri në shtator 2026, OSBE evidenton si sfida edhe përmirësimin e analizës së vendimeve, transparencës, si dhe një metodë më të mirë për të matur ecurinë e çështjeve të korrupsionit në nivele të larta.
