Nuk ka paqe mes Presidentit të Futboll Klub Kamza dhe kryetarit të Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu. Naim Qarri, zorësuesi i 51 % të aksioneve të klubit thekson se pushteti lokal nuk e ka ndihmuar ekipin prej 11 vitesh.
“Ka 11 vite që financoj i vetëm skuadrën e Kamzës me paratë e familjes time. Këtë sezon Bashkia Kamëz nuk ka paguar detyrimet financiare sipas ligjit, pra në bazë të 49 % të aksioneve që zotëron. Na premtuan se këtë janar do të kishim financime për ekipin, por realisht deri tani janë dhënë zero lekë”, theksoi Naim Qarri, presidenti i firmës “Qarri02” shpk.
Qarri i bën thirrje Mziut të vendosë në se do ta financojë klubin, ndryshe do të konsultohet me juristët dhe do të kërkojë edhe 49 % të aksioneve të bashkisë, që ato të zotërohen nga firma e Qarrit.
Ky i fundit garantoi futbollistët që janë federuar për llogari të Kamzës se do të paguhen të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kontrata mes lojtarëve dhe klubit të futbollit.