Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është shprehur pas takimit të tij me kancelaren gjermane Angela Merkel se, kjo e fundit e vlerëson dhe e respekton dëshirën e Serbisë për të folur dhe për të arritur një kompromis në lidhje me Kosovën.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është takuar sot me kancelaren gjermane Angela Merkel gjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Pas takimit, ku tema kryesore ka qenë çështja e dialogut Kosovë-Serbi dhe teza për korrigjimin e kufijve, Vuçiç është shprehur se duhet të arrihet një kompromis midis dy vendeve për çështjet që kanë rindezur gjakrat në Ballkan.
“Kompromisi është diçka që çon në rezultate të mira dhe se njerëzit duhet të përpiqen të bëjnë kompromis, të mos i poshtërojnë dhe të shkatërrojnë kundërshtarët e tyre. Ne do ta kuptojmë këtë në Serbi. Ne biseduam më shumë për Kosovën, integrimin evropian të Serbisë…”, tha Vuçiç. Duke e cilësuar si një bisedë jo të thjeshtë, presidenti Vuçiç tha se Merkel e vlerëson dhe e respekton dëshirën e Serbisë për të folur dhe për të arritur një kompromis.
“Biseda nuk ishte e thjeshtë, vetëm se kemi një vështrim se si ta zgjidhim këtë problem në Serbi.Vendet që e kanë njohur Kosovën kanë një qëndrim paksa të ndryshëm. Merkel, mendoj, vlerëson dhe respekton dëshirën tonë për të folur dhe për të arritur një kompromis”, u shpreh Vuçiç.
