Programi i njohur televiziv “Le Iene” ka gjetur një mënyrë origjinale për të mbajtur ndjekësit në shtëpi e për të ndjekur pak futboll njëkohësisht, edhe pse bëhet fjalë për atë virtual. “Le Iene” kanë organizuar një turne futbolli online, ku protagonistë do të jenë shumë yje të futbollit Italian apo ish-kampionë, me sfidat që mund të ndiqen në faqen e programit në internet apo në rrjetet sociale.
Ajo do të quhet “Quarantena League” dhe sigurisht që ka si qëllim që të bindë njerëzit që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre në këtë periudhë për të ndihmuar që të mos përhapin koronavirusin.
Mario Baloteli, Marko Materaci, Fabio dhe Paolo Kanavaro, Çiro Imobile, Andrea Pirlo, Çiro Ferrara, Masimo Odo, Sandro Tonali, Bernardo Korradi, Luka Pelegrini, Enok Baloteli, Lianko, Kristian Zakardo, Davide Zapakosta, Armando Izo, Andrea Petanja, Alesio Çerçi, Enriko Brinjola, Sebastiano Esposito, Axhapong e Havier Pastore janë disa nga emrat që do të sfidojnë njëri-tjetrin në një turne të mirëfilltë me FIFA 20 që do të zgjasë më shumë se një javë.
Ndeshjet do të kenë edhe koment teknik nga komentatori i njohur Italian Pierluixhi Pardo, si dhe humoristët e “Gialappa’s Band”, ndërsa prezantuesit që do të hedhin herë pas here shortin e eliminatoreve do të jenë Alesia Markuci dhe Nikola Savino. Sigurisht, secili nga shtëpia e tij, pasi rregulli numër 1 mbetet ai që të respektohen rregullat e karantinës dhe që askush të mos dale nga shtëpia.
