Bjellorusia është duke vazhduar jetesën normale, pavarësisht se Europa është kapluar nga një alarm për Koronavirusin, që çdo ditë shkakton viktima. Sakaq, duke qenë se çdo aktivitet në Bjellorusi vazhdon normalisht, rregullin nuk mund ta thyente as futbolli. Kampionati nisi këtë javë dhe pavarësisht diskutimeve për ta shtyrë, u vendos të luhej.
Duket se në Bjellorusi nuk e kuptojnë rrezikun që iu kanoset dhe mbi këtë fakt këmbëngul edhe Azdren Llullaku. Sulmuesi i kombëtares është pjesë e skuadrës së Shaktjor Soligorsk dhe në një intervistë së fundmi ka theksuar se nuk e kupton si mund të vazhdohet futbolli në Bjellorusi. Madje, as fakti se një prej futbollistëve të një prej ekipeve ka rezultuar pozitiv me COVID-19, nuk ka shërbyer për të stopuar ndeshjet.
“Nuk po kuptojnë rëndësinë e situatës. Këtu çdo gjë vazhdon rutinë, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Unë shpresoj që gjithçka të shkoj mirë, edhe pse nuk jam shumë i sigurt duke qenë se virusi ka infektuar të gjitha vendet e tjera. Këtë javë ishte ndeshja e parë e kampionatit. Kishte një mbledhje të martën për të vendosur mbi ndalimin e kampionatit. Por, në fund u vendos të vazhdohej dhe thjesht na kanë paralajmëruar të tregohemi të kujdesshëm. Ajo që më shqetëson më pas është fakti se ndeshjet luhen me prezencën e tifozëve.
Këtu është një mentalitet ndryshe. Nuk arrij vërtet ta kuptoj, sepse kampionati përfundon në dhjetor dhe do kishte kohë për të rikuperuar ndeshjet e shtyra. Ndërkohë, tashmë duhej të kishte një ndërprerje sepse data 28 ishte e llogaritur për kombëtaret, por nuk do të jetë sepse do të rikuperojmë një ndeshje që nuk ishte në kalendar. I di shumë mirë dëmet që mund të shkaktoj ky virus dhe prandaj vendimi për të vazhduar më ka surprizuar.
Nuk është e mundur që e gjithë bota të ndalojë dhe vetëm këtu jo. Më shqetëson, por çfarë mund të bëjmë? Unë gjithnjë mundohem të jem i vëmendshëm. Stërvitem, luaj dhe më pas mbyllem në shtëpi. Dal vetëm për të bërë pazarin. Por, këtu nuk ka asnjë shqetësim, shkollat janë të hapura ashtu si palestrat dhe qendrat tregtare.
Njerëzit dalin shëtitje çdo ditë pa asnjë ndrojtje dhe gjithçka duket normale. I vetmi rekomandim, është ai i të larit të duarve. Rastet në Bjellorusi janë tashmë 50 dhe një lojtar i Minsk, pak kohë më parë ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Por, as kjo nuk mjaftoi për të ndalur kampionatin”, u shpreh i shqetësuar Llullaku.
