Një 33- vjecar, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur është gjendur sot i vdekur në Burgun e Korydallosit. Ky është rasti i radhës, pasi historia e vdekjeve të shqiptarëve në burgjet apo institucionet greke është shumë e dhimbshme dhe e gjatë. Nga viti 1991 deri në vitin 2018 numërohen afërsisht 180 vdekje Shqiptarësh, përfshirë këtu edhe vrasjet e ndodhura në përplasje me policinë apo ushtrinë grekë në përpjekje për të kaluar kufirin përmes fshtarave kufitarë. Tirananews sjell disa prej vrasjeve më të bujshme të ndodhura gjatë këtyre viteve të cilat kanë marrë dhe një vëmendje të madhe publike.
Ndërkohë në vitin 2018 pas ngjarjes së Bularatit ku humbi jetën 35 vjeçari minoritar Kostandinos Kaçifa, dy shtetas shqiptare gjetën vdekjen në Greqi. Më datë 04 dhjetor 2018 në zonën e Kavallës, u gjet i pajetë shtetasi shqiptar Marios Isak i datëlindjes 31.07.2000, lindur në Kavalla, Greqi. Vetëm pak ditë më parë një tjetër shtetas shqiptar, Petrit Zifle, i lindur më 03.07.1955 në Shqipëri, banues në qytetin e Beratit dhe së fundmi me banim në Sparteron Korfuz gjeti vdekjen. Të dy këto ngjarje morën një ngarkesë të caktuar në opinionin publik për shkak se pasuan ngjarjen e ndodhur në fshatin Bularat të Bashkisë Dropull.
Çështja e vdekjes së shtetasit shqiptar Ilia Kareli (Kudret Kume), në mars të vitit 2014.
Ilia Kareli ndërroi jetë nga dhuna ç’njerëzore dhe torturat në një institucion grek të vuajtjes së dënimit. Ai ishte burgosur së pari më 21 tetor 1997, i akuzuar për grabitje dhe ishte dënuar me 16 vjet e 5 muaj heqje lirie. Por në 27 maj 2006, pasi kishte vuajtur 3/5 e dënimit ishte liruar. Më 4 mars 2007 ishte çuar sërish në paraburgim, i akuzuar për tentativë për vrasje me paramendim në vazhdimësi dhe për grabitje. Çështja u bë publike pas daljes në media të pamjeve ku dëshmohej dhuna ç’njerzore mbi Karelin, ç’ka solli dhe lëvizjen e shoqërisë civile dhe institucioneve të shtetit shqiptar. Drejtësia greke nisi një sërë seancash gjyqësore, 12 në total, duke dalë me vendimin për dënim të 13 gardianëve të akuzuar me 3 deri në 7 vjet burg për dhunën e ushtruar ndja Karelit.
Çështja e vdekjes së shtetasit shqiptar Pëllumb Marknikollaj
I riu nga Lezha humbi jetën me 3 Gusht në Rajonin e Policisë Agjio Lavro në Ana Patisia, të Athinës. Viktima kishte marrë vendim gjykate detyrim paraqitje në polici dhe ai si zakonisht ishte paraqitur për të firmosur në polici duke respektuar ligjin dhe vendimin e gjykatës.
Shtetasi shqiptar Pëllumb Marnikollaj, gjeti vdekjen në rrethana ende të paqarta madje policia greke kërkoj ta varroste pa njoftuar Ambasadën Shqiptare dhe në kundërshti të plotë me Konvetën dypalëshe konsullore.
Sikurse u bë e ditur, Ambasada shqiptare në Athinë e mori nga familjarët dhe jo zyrtarisht. Pas vdekjes së Marnikollaj, policisë greke iu dorëzua raporti mjeko-ligjor që kreu pala shqiptare kur trupi erdhi në Shqipëri. Në bazë të legjislacionit grek, pala shqiptare duhet të ishte kontaktuar pas marrjes së raportit tonë, gjë që nuk ka ndodhur. Në njoftimin e fundit të bërë publik nga autoritetet, u prit Avokati Thanasis Kampagiannis, i cili theksoi se nuk ka pasur një procedim të dosjes për hetim nga policia greke dhe si pasojë avokati e ka të pamundur të kërkojë ndjekjen e çështjes në gjykatat greke, si dhe anë institucionet Evropiane, pasi nuk është akuzuar asnjë person.
Aktualisht pritet të dalë vendimi i Prokurorisë së Rrethit ku është ridërguar çështja për rishqyrtim, në të cilën nuk ka afate të parashikuara.
Çështja e Flamur Pisli
Në 28 maj 1999 një shtetas shqiptar merr peng një autobus me pasagjer dhe për lirimin e tyre vendos këto kushte:
1. 3 kallashnikov
2. 50 milion dhrahmi
3. Kërkon të përballet me policët grek që e kanë keqtrajtuar
4. Kalim të sigurtë të kufirit shqiptar
Pasi hyn në Shqipëri Policia shqiptare në Elbasan ngriti një pritë, ku pasi i kërkoi të dorëzohet ndërhyn dhe vritet Jorgo Kuluris (shtetas grek) dhe Flamur Pisli.
Bazuar në faktin që pengmarrja nisi në tokën greke dhe përfundoi në atë shqiptare, palët ranë dakord në atë kohë që të gjitha veprimet proceduriale të kryheshinnë prezencë të përfaqësuesit grek. / tirananews.al