Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e regjistruar sot në rrugën “Petrela”, në Bathore të Kamzës, ku një efektiv i Policisë Ushtarake dyshohet se vrau me armë zjarri dy vëllezër dhe plagosi rëndë vëllain e tretë.
Sipas të dhënave paraprake, tre vëllezërit dhe autori i dyshuar, Ngushëllim Manzi, ishin fqinjë. Shkak i konfliktit që përfundoi në tragjedi dyshohet të jetë bërë një mur rrethues në oborrin e banesës së vëllezërve.
Tre vëllezërit janë me origjinë nga Tropoja, ndërsa efektivi i Policisë Ushtarake është nga Tirana. Pas arrestimit, ai nuk ka dhënë deklarime lidhur me ngjarjen, ndërsa dyshohet se krimin e ka kryer me armën e shërbimit.
Viktimat janë identifikuar si Selam Islamaj, rreth 30 vjeç, dhe Nazmi Islamaj, rreth 48 vjeç. Ndërsa vëllai i tyre, Shefqet Islamaj, rreth 44 vjeç, ka mbetur i plagosur dhe vijon të marrë trajtim mjekësor në spital.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, pas marrjes së informacionit për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Petrela”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Nga hetimet paraprake rezulton se konflikti mes shtetasit N. M. dhe tre vëllezërve S. I., N. I. dhe Sh. I. ka nisur për motive të dobëta dhe më pas është përshkallëzuar deri në përdorimin e armës së zjarrit.
Si pasojë, shtetasi S. I., rreth 30 vjeç, ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa dy vëllezërit e tjerë janë transportuar në spital. Pavarësisht ndihmës mjekësore, 48-vjeçari N. I. nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve, ndërsa 44-vjeçari Sh. I. vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.
Policia bëri të ditur se, falë veprimeve të shpejta, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit N. M., rreth 40 vjeç, punonjës i Policisë Ushtarake. Gjatë veprimeve hetimore, u sekuestrua edhe pistoleta që dyshohet se është përdorur në krim.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe për sqarimin e të gjitha rrethanave dhe motiveve që çuan në këtë tragjedi.
