Djali i Abas Dogës, 65-vjeçarit tashmë pas hekurave i akuzuar për shantazhim dhe abuzim seksual me një 15-vjeçare rrëfen marrëdhëniet e tij me të atin, duke treguar se ishte në dijeni të veprimeve të tij.
Duke folur për News 24 ai thotë se e dënon veprimin e të atit. Të dy babë e bir kanë punuar roje në shkollën e Babrrusë, dhe para një viti i kishte kërkuar drejtorit të shkollës që ta hiqte nga puna për shkak të veprimeve që bënte, për të cilat ka pasur dhe konflikt fizik me të.
Ai thotë më tej se babai “na tha se nuk ka kryer marrëdhënie me dhunë, por është fajtor sepse vajza është e mitur”.
Të shtunën policia e Tiranës njoftoi se është arrestuar Abas Doga për abuzim seksual ndaj një të miture 15-vjeçare.
Nga veprimet hetimore rezultoi se Doga kishte abuzuar seksualisht me dhunë me të miturën dhe pas abuzimit i kishte bërë video intime. Këto video ua kishte dhenë tre të rinjve, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nën kërcënimin e publikimit të videos, kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën.
Më pas ata kanë bërë video intime që t’ua shpërndanin personave të tjerë. Me ndërhyrjen e Policisë Kriminale u parandalua ky veprim kriminal.
Në dhomën e intervistimit të të miturve dhe në prezencë të nënës, psikologes dhe avokates, specialistët për Hetimin e Krimeve nën drejtimin e Prokurorit, kanë administruar dëshminë e vajzës dhe të gjitha provat që implikojnë shtetasit e lartpërmendur.
Gjithashtu është bërë e mundur të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale dhe dy telefona celular në të cilët ndodheshin videot.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi i shtetasve A.D., K.P., R.O. dhe F.B., për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, ”Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14 deri në 18 vjeç”, “Shtytja e të miturve në krim” dhe “Vepra të turpshme”, të gjitha kryer në bashkëpunim.
