Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj foli për situatën e fundit epidemike dhe rritjen e rasteve me koronavirus në radhët e personelit mjekësor, por edhe tek qytetarët. Sipas tij kjo ka ardhur si rezultat i uljes së vigjilencës për respektimin e masave parandaluese.
Brataj u shpreh se tashmë transmetimi i infeksionit është komunitar dhe jo më në vatra ku dihet sa të infektuar janë. Duke qenë se jemi në këtë situatë, sipas tij, qytetari nuk e di se ku mund të infektohet.
Kreu i urgjencës foli sot i ftuar në Abc News, edhe për situatën personale, për mënyrën se si ishte infektuar nga koronavirusi, duke u shprehur se nga përballja personalisht me rastin e parë dhe më tej, edhe të rasteve të tjera, bëri që të infektoheshin ai dhe 3 kolegë të tjerë, që ndihmonin personelin tek hiqnin veshjet pas kontaktit me të infektuarit.
“Isha i detyruar të isha në frontin e luftës ashtu siç jam edhe tani. Që prej 23 janarit kur u bë urdhri i formimit të komitetit, i grupit të ekspertëve dhe që nga 2 shkurti kur filluan trajnimet në masë, filloi shpërndarja e mjeteve mbrojtëse, veshja, plus që në Tiranë e dinim që popullsia shumë e madhe, dhe normalisht do të kishte edhe të infektuar më shumë”, tha Brataj.
Ai foli edhe për tmerrin e rasteve të para, pasi morën infeksionin.
“Shqiptarët e dinë si ishte fillimi, kështu që u desh që unë të shkoja vetë që në rastin e parë me koronavirus sepse nuk shkonte njeri. Më thanë shko dhe të tjerët fshiheshin, duke qenë edhe mjek normal që do të shkoja. Ekipet që vinin visheshin tek ne, gjëma më kryesore ishte që pasi të kryenin misionin duheshin që këto uniforma të eliminoheshin në mënyrë të sigurt, pra ishte shumë e rëndësishme mënyra se si zhvisheshe që të mos infektoheshe”, u shpreh Brataj.
“Gjithë këto kontakte, gjithë fluksi i njerëzve kalonin nga ne”, – shtoi ai. – “Dhe ne 2 apo 3 vetë që ishim aty dhe merreshim me atë punë u infektuam. Ajo që dua të them është se kur spitalet u mbyllën dhe shërbimet gjithashtu, njerëzit kishin frikë të vinin në urgjencat tona. Kur u hapëm, me lirimin e masave atëherë ndodhi infeksioni në spitale, d.m.th erdhi nga jashtë, nuk është se lindi në spital”.
