Benjamin Keough, djali i Lisa Marie Presley, ka ndërruar jetë në moshën 27-vjeçare. Raportohet se muzikanti, nipi i Evlis dhe Priscilla Presley dhe vëllai i aktores Riley Keough, ka kryer vetëvrasje mbrëmjen e së dielës në shtëpinë e tij.
Menaxherja e Lisa Marie e konfirmoi lajmin dhe me anë të një deklarate të shkurtër tha: “Ajo është zemërthyer, e shkatërruar, nuk mund të ngushëllohet, por po përpiqet të qëndrojë e fortë për binjaket 11-vjeçarë dhe vajzën e madhe, Riley-n. Ajo e adhuronte të birin, ishte dashuria e jetës së saj.”
Asnjë prej pjesëtarëve të famlijes nuk ka komentuar mbi ngjarjen e rëndë, ndërkohë që lajmi është konfirmuar edhe nga policia.
Benjamin ishte djali i vetëm i Lisa Marie nga martesa me muzikantin Danny Keough, që mbaroi në vitin 1994. 27-vjeçari kishte vendosur të ndiqte pasionin për muzikën, njësoj si e ëma dhe gjyshi i tij. Gjithsesi ai nuk publikoi kurrë një material muzikor zyrtarisht, ndërkohë që është shfaqur në role të vogla në disa projekte kinematografike.

Shpesh ai komentohej nga anëtarët e familjes, por edhe nga publiku, për ngjashmërinë e madhe fizike me Elvis.
