Ermal Pashaj, një nga mjekët i cili u nis më 28 mars drejt Italisë, për të ndihmuar vendin fqinj për të kaluar situtaën e vështirë të COVID-19, ka rrëfyer përjetimet përpara nisjes. Në një intervistë për mediat italiane, Pashaj shkruan, se të gjithë ishin të rënduar psikologjikisht, për shkak të informacioneve që merrnin nga mediat për numrin e të vdekurve.
Më tej ai shton, se me gruan bëri sherr përpara nisjes, ndërsa prindërve nuk u tha asgjë për të kursyer reagimet. Ndër të tjera mjeku ka treguar, se kur u kthye, djali i tij 2 vjeç nuk e njohu pasi ishte transformuar.
Në fund Pashaj shton, se ndjehet krenar për atë që ka bërë, pasi mundi të merrte eksperiencë në një ambjent profesional.
“Jam Ermal Pashaj një mjek kirurg, që jam formuar në një universitet në Shqipëri që është i binjakëzuar me një universitet italian. Prej 17 vitesh studioj në Universitet, mes fakultetit, specializimit dhe doktoraturës. Jam një prej 30 mjekëve që kam ardhur në Itali më 28 mars, për të dhënë ndihmë në situatën e pandemisë. Ishte një situatë mjaft e rëndë psikologjikisht për ne edhe nga fakti që merrnin informacione nga mediat, me gjithë atë numër të vdekurish që na trembnin dhe u nisëm me idenë për të dhënë ndihmë në momentin e nevojës, siç Italia ka bërë dhe do të bëjë gjithmonë për ne. Ishte një moment mjaft i vështirë, sepse u nisëm me idenë që do të infektoheshim. Me gruan bëra sherr, prindërve nuk u thashë asgjë, për të kursyer reagimet e tyre. Ishte e vështirë të kaloje ato ditë, sepse ishim vetëm, larg shtëpie, me mungesën e dashurisë familjare. Djali pas kthimit nuk ka dashur të më përqafojë sepse është 2 vjeç dhe nuk më ka njohur, por ndjehem krenar që kam bërë këtë gjë, munda të shfrytëzoj ato që kam mësuar, munda të marr eksperiencë në një ambjent profesional dhe një eksperiencë njerëzore për të dhënë ndihmë“, u shpreh Pashaj.
