Policia e Shtetit u bën apel të gjithë shoferëve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor që të mos krijohen probleme në trafik. Në një postim në mediat sociale, Policia njofton se ka nisur prej orës 18:00, kthimi i pushuesve nga zonat bregdetare, por shtojnë se situata në rrugët kryesore është e qetë.
Njoftohet se Policia Rrugore edhe këtë pasdite ka shtuar shërbimet, me uniformë e civilë, për të monitoruar trafikun. “Nga Gjiri i Lalzit deri në Tiranë janë ndëshkuar 21 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara. Nga Rana e Hedhun, Shëngjin deri në Milot janë ndëshkuar 23 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara. Nga Miloti deri në Rinas janë ndëshkuar 13 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara“, njofton Policia.
REAGIMI I PLOTË
Prej orës 18:00 ka filluar kthimi nga zonat bregdetare drejt Tiranës, konkretisht: Nga Gjiri i Lalzit në drejtim të Maminasit ka fluks, por qarkullim të rrjedhshëm. Aksi nga Spilleja në kthim ka fluks lëvizjeje, nuk ka bllokim rruge, vazhdon lëvizja e lirë e mjeteve. Tek mbikalimi i Maminasit ka fluks të shtuar mjetesh, por është i rrjedhshëm. Rruga dytësore e Plepave me drejtim Golem, Durrës ka fluks, por pa bllokime.
Nga Rana e Hedhun, Shëngjini në drejtim të Lezhës ka fluks, por pa bllokime. Në Vlorë nuk ka rëndim të trafikut, vijon rrjedhshëm lëvizja, pavarësisht së në disa segmente lëvizja është zinxhir. Autostrada Durrës-Tiranë nuk ka probleme. Hyrja për në Tiranë nuk ka probleme.
