“Pas laboratorit të referencës në Institutin e Shëndetit Publik, testimet molekulare për identifikimin e SARS COV2 do të kryhen edhe në QSUT”.
“Me hapjen e këtij laboratori të dytë, krijojmë baza të mira për të rritur dhe për të zhvilluar testimin, i cili në fakt do të vijojë të ketë një objektiv kyç: gjurmimin e rasteve dhe izolimin e tyre. Sepse ne për asnjë moment nuk e kemi humbur vëmendjen nga qëllimi primar i testimit. i cili është pikërisht gjurmimi, izolimi dhe mundësia e kufizimit dhe e ndërprerjes së zinxhirit të infeksionit. Ky laborator i çertifikuar, siç e premtuam, do të rrisë kapacitetet e testimit dhe për t’iu përgjigjur strategjisë së testimit të realizuar me ekspertizën e Komitetit Teknik të Ekspertëve”, (lexo deklaratën).
Ishte kjo deklarata e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu më 17 korrik, teksa vizitonte ambientet e laboratorit të ri bashkë me shefin e laboratorit të mikrobiologjisë, Andi Koraqi dhe Silva Bino, shefe e laboratorit të referencës në ISHP.
Dy javë pas hapjes së këtoj laboratori me standarde të larta për kryerjen e testimeve Covid, sipas Manastirliut- vjen një tjetër deklaratë e papritur, por kësaj radhe, jo nga ministrja, por nga koncesionari i cili ka firmosur kontratën për të marrë në dorëzim laboratorin dhe kryer testet Covid.
Në ambientet e brendshme të QSUT është afishuar një njoftim ku lajmërohet për “…Mbylljen e strukturave laboratorike ekzistuese në QSUT: Laboratorit Imunologjik, laboratorit klinik biokimik, laboratorit mikrobiologjik për shkak të të drejtave të koncensionarit”.
Në njoftimin e afishuar në QSUT thuhet se largimet nga puna do të njoftohen para fundit të muajit gusht.
“Pushimin nga puna të 73 punonjësve në shërbimin e Laboratorit Imunologjik, shërbimin e laboratorit klinik biokimik si dhe në shërbimin e laboratorit mikrobiologjik, aktualisht të emëruar në pozicionet: “Mjek”, “Kryelaborant”, “Biolog”, “Laborant”, “Infermier” dhe “kujdestar kafshësh”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me këtë koncesion ka pasur edhe një sërë akuzash nga opozita.
“KONCESIONET NE SHENDETESI, QE COJNE NE MONOPOLE PRIVATE KONTROLLUESE TE PUBLIKUT.”
Kështu do të shkruante Tritan Shehu në facebook, një javë para vizitës së Manastirliut në laboratorin e QSUT. (lexo këtu).
Shehu ndër të tjera thotë se “Po tentohet gjithashtu që shumë shpejt të fillojnë procedurat për dhënien me koncesion të të gjitha shërbimeve laboratorike të spitaleve të Republikës, përfshirë dhe QSUT-në. Më tej po i vjen radha shërbimeve të imazherisë, ashtu si dhe laboratorët. Realisht jemi përpara një gjendjeje të pa precedentë. Të gjitha këto procedura po realizohen në një menyre aspak transparente.”
Ndërsa një tjetër reagim vjen nga deputeti Bardh Spahia ditën e sotme (8 gusht) i cili ngre një tjetër shqetësim ne lidhje me realizimin e testeve.
Spahia në një reagim në rrjetet sociale thotë se “Pas tamponëve që nuk japin rezultatin e saktë, vijnë denoncime edhe për testet serologjike! Ka ndodhur tek personeli shëndetësor i vetë laboratorit të QSUT! Një anëtar i këtij personeli testohet tek laboratori i QSUT dhe del negativ. Përsërit testin serologjik tek spitali amerikan dhe del pozitiv!!!!” (lexo të plotë)
Mësohet se koncesionari gjithashtu, ka fituar të drejtën që për 10 vitet e ardhshme të bëhet pronar i të gjithë laboratorëve dhe setit të analizave që do të kryejnë shqiptarët nëpër spitalet publike me një vlerë prej 95 milionë euro.




