Kulti i “të ngrënit pastër” është një “bombë me sahat” sipas studiuesëve të Shoqërisë Kombëtare të Osteoporozës.
Një studim i ri nga kjo organizatë ka dëshmuar se të rinjtë e sotëm rrezikohen masivisht nga sëmundja e osteoporozës (sëmundje e dobësimit të kockave), pikërisht për shkak të dietave të shumta që promovojnë ndërprerjen e konsumimit të bulmetit.
Katër në dhjetë të rinj të moshave 18-24 vjeç kanë eksperimentuar me dieta të shumta që tani janë vënë nën shënjestër nga ekspertët pikërisht sepse eleminojnë grupe të rëndësishme ushqimesh, siç është bulmeti.
Sipas studiuesëve, shumë prej personave që ndjekin këto dieta nuk e kanë idenë që eleminimi i këtyre ushqimeve mund të dëmtojë seriozisht shëndetin e tyre në formë afatgjatë, duke qenë se kockat vijojnë të zhvillohen edhe pas adoleshencës. Këto dieta janë shndërruar në një trend vitet e fundit, duke qenë se shumë personazhe VIP ia atribuojnë rënien në peshë apo pastrimin e lëkurës, ndërprerjes së konsumimit të bulmetit, drithërave apo glutenit.
Bulmeti, një nga burimet kryesore të kalciumit, që mbron kockat, është një nga grupet kryesore ushqimore që është targetuar. Ekspertët thonë se këto trende po e ekspozojnë gjeneratën e re në mënyrë të frikshme ndaj osteoporozës, sëmundje që shkakton dobësimin e kockave, duke i bërë ato lehtësisht ët thyeshme dhe që shkakton shumë dhembje.
