Debati në seancën parlamentare të kësaj të enjte ka degjeneruar sërish. Ishte fillimisht kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e cila ka ironizuar ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, nëse kishte apo jo diplomë.
“Elisa nuk e di a ka diplomë apo jo… Mos guxojë më njeri nga ju të përmendi diplomat se nuk dimë si dalim këtej nga ana juaj se vetëm me një diplomë na e kaloni, atë për ti lëpirë medren kryetarit të partisë… na e kaloni për këtë dhe nuk kemi ca të themi”, tha Kryemadhi.
Menjëherë pas saj reagoi Spiropali. “Zonja Kryemadhi në 1999 unë jam larguar nga Shqipëria dhe zonja Malaj që ka qenë nëndrejtoresha e “Qemal Stafës” mund tua thotë se kam qenë një ndër 5 gjimnazistet më të mira në vend, që fitoi bursë në kolegjet e SHBA. Në atë kohë ju ishit duke vjedhur votat e FRESSH dhe duke u marrë me Shqipërinë, dakord moj zonjë, ju shkatërruat sistemit edhe brenda PS edhe si funksiononte administrata dhe këtë e dëshmojnë edhe kolegët. Nuk keni asnjë bazë krahasimi me ne”, iu përgjigj ajo.
Në fjalën e saj Spiropali akuzoi edhe opozitën për përdorim të gjuhës ofenduese ndaj ministrive, që sipas saj “kanë më shumë dinjitet dhe punë se ata që ai ka futur në partinë e vet, që anëtar të Kryesisë e bëri atë kokëvezën që goditi me vezë”. E në replikë të saj reagoi “deputeti i vezës” Endri Hasa. Ndërkohë që ai tentoi të shkonte drejt foltores, kryetari i Kuvendit Gramos Ruçi iu drejtua: Mos bëj si i forti i lagjes.
Por Hasa sulmoi Spiropalin duke e quajtur zonja 5 milionëshe e doganave. “Nafija që i lëpihet shefit për të ngjitur shkallët e karrierës”, tha Hasa.
Edhe kryetarja e LSI-së iu përgjigj sërish Spiropalit duke i thënë se nuk e njeh PS fare. “I them Andronikës që ka qejf të rri me Skënderbeun, mos e përmend PS se nuk e njeh fare, por ngaqë s’ka më socialist të del ty, kur kam qenë unë në PS ka qenë komplet tjerë, pavarësisht se ku jemi sot unë, Ruçi, Musa Ulqini apo edhe Braçe, ka qenë tjetër kohë, e ardhmja bëhet duke kuptuar gabimet e së kaluarës, nëse ju nuk kuptoni kurrë nuk duhet të jeni aty ku duhet të shkoni. E nise si revolucionare politikën por do të hiqesh si borgjeze, por borgjeze nuk të bëjnë paratë, por shpirti, mendja dhe dija”, tha Kryemadhi.
