Reshjet e shiut që kanë përfshirë Qarkun e Kukësit kanë sjellë problematika në furnizimin me energji elektrike në disa zona, ndërsa të gjitha akset rrugore kombëtare vijojnë të jenë të kalueshme.
Sipas raportimit të situatës nga strukturat përgjegjëse, deri në orën 08:50 të datës 23 nëntor 2026, i gjithë territori i qarkut ishte përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar, të shoqëruara gjatë natës edhe me erë të fortë. Në momentin e raportimit nuk kishte reshje.
Si pasojë e motit të keq, rrugët kombëtare dhe ato bashkiake vijojnë të jenë të rrezikuara nga rënia e gurëve, inerteve dhe vërshimi i ujërave. Ndërkohë, subjektet kontraktore po punojnë për pastrimin e akseve kombëtare dhe mbajtjen e tyre funksionale.
Nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk janë raportuar problematika të tjera. Problematika kryesore mbetet furnizimi me energji elektrike, pasi një numër zonash në të tria bashkitë e qarkut vijojnë të jenë pa energji.
Në bashkinë Kukës, ndërprerjet prekin zonën industriale të qytetit, njësitë administrative Malzi, Tërthore, Kolsh, Surroj, Topojan, Shishtavec dhe Zapod.
Në bashkinë Tropojë, pa energji elektrike raportohen njësia administrative Margegaj, qyteti i Fierzës dhe lagjja Geg Hysen në qytetin e Bajram Currit.
Ndërsa në bashkinë Has, problematika përfshin njësinë administrative Fajzë, fshatrat Kishaj dhe Pogaj në njësinë administrative Gjinaj, si dhe spitalin dhe ujësjellësin e qytetit të Krumës.
Sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm, ai po vijon sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Kukës.
Autoritetet bëjnë me dije se situata po monitorohet dhe strukturat përgjegjëse mbeten në kontakt për ndjekjen e problematikave dhe ndërhyrjen sipas nevojës.
