Ditën e sotme u hodh shorti i fazës “Play-Off” të Europa League. Tirana do të ndeshet ndaj kampionëve të Zvicrës, Jang Bojs më datë 1 tetor dhe bardheblutë do të udhëtojnë si mysafirë në këtë takim shumë të vështirë në letër.
Për shortin e sotëm në “Sport News” ka folur tekniku bardheblu, Emanuesl Egbo, i cili si gjithmonë nuk e humbet besimin te Zoti dhe mendon se Tirana e ka aftësinë për të arritur në grupet e Europa League.
JANG BOJS NË PLAY-OFF– “Ndoshta ju mendoni se Zoti nuk na ka buzëqeshur sot, por kam besim te Ai se ai nuk bën gjëra të vogla. Çdo gjë është e mundur në jetë. Nuk jam tip, që rrëzohem kur gjërat bëhen të vështira. Besoj deri në fund me mendimin dhe besimin, që do ta ketë dhe ekipi.
Tirana ka mbetur ekipi i vetëm i Shqipërisë në Europë. Duhet të bashkojmë forcat bashkë të gjithë. Të shkojmë atje për të dhënë 100%. Unë besoj se çdo gjë në botë është e mundur, siç e kemi treguar në kampionat”.
LUHET JASHTË– “Aq më bukur për mua. Presioni është i gjithi mbi ta, ne nuk do jemi nën presion. Jemi vetëm nën presion për të dhënë apo jo maksimumin brenda 90 minutave apo në shtesë. Aty kam merak. Sa mundet ekipi të shkojmë bashkë, sa mundemi të japim 100%. Kjo më shqetëson më shumë se të tjerat.
NDESHJA ËSHTË PAS DY JAVËSH– “Kemi kohë për të parë sa të përgatitur do të jemi. Kam pak dëmtime të vogla te lojtarët, por do t’i rikuperomë. Edhe lojtarët e rinj që do vijnë shpejt dhe kontigjenti të jetë e plotë. Pastaj të tjerat dihen”.
EDICIONI I RI– “Presim, nuk mund të them nëse jemi gati apo jo. Të jemi kontigjent i plotë. Nuk kemi përgjigje të saktë. Akoma nuk kemi filluar. Kur të mbarojë merkatoja dhe të fillojë sezoni, atëherë mund të themi nëse ekipi është gati apo jo”.